Poezi satirike nga Sevdail HYSENI,

Bujanoc – Lugina e Preshevës

 

Lugina ka rënë n’heshtje zgjedhore,

Me disa premtime të lëna pas dore…

Të cilat përmbushen tani nëpër oda,

Ku vazhdon i fshehur pazari për vota!

 

Dy Listat shqiptare, po dalin në gara

Cila nga të dyja do të dal e para!

Për të siguruar ulëse n’Parlament

Atje ku problemet nuk zgjidhen me vjet!

 

Drejt Beogradit ku shkonin pa nda’

Baballarët tanë me sharrë në krah!

Për një gojë bukë i sprovonte jeta,

Dhe provokimi “Nema…tungatjeta!”

 

Po koha ka ndërruar s’është si më parë,

Parlamentit serb i duhen shqiptarë…

Bile dhe punëtorë me nevojë punësimi,

Deri n’Vojvodinë i pret integrimi!

 

Lugina po zbrazet ngadalë dhe sigurt,

Disa nga liderët i kanë shitur drutë!

Një këmbë n’Beograd, tjetrën n’Prishtinë,

Duke e zhgënjyer shpresën dhe rininë!

 

Liderucët tanë, nga zërat kritikë

Na janë bërë imunë, tepër elastikë!

Kërkojnë nga masa votën politike,

Edhe pse e shkelën Listën Unike!

 

(Karikatura marrë nga interneti)