Nga Rexhep SHAHU

 

Kosovë, t’njoh ty si dobësitë e mia.

S’ki kujt i ankohesh, kopilat e tu po t’shesin!

 

Të dinë për katund, Kosovë,

Një katund i humbur dikur në Veri

Me njerëz të egër, që flasin trashë

Që vijnë e na pshurrin detin në verë.

 

Ti je guri ku mbështes kryet Kosovë

Ku marr fuqi mos me vdekë

Je ëndrra që gjithë jetën të kam ndjekë

Ulkonja që duan ta shqyejnë qentë.

 

Ti je nëna që lind pesë për shpi e pesë për shki

Je baba që vdes te mbrojtë pragun e shtëpisë

Je vorri i babës, i nanës që flet

Je vorri i fëmijës që thërret.

 

Kopilat s’mund ta shesin Kosovën

Se s’pranojnë vorret me u shitë

S’munden vorret mos me folë shqip

S’mundën vorret me ikë.