Shkruan: Florim Zeqa         28.01.2022

Lajmi se javën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi do të qëndrojnë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është një paralajmërim, se qëllimi i kësaj vizite është presioni që do të ushtrojnë ndaj Kosovës dhe Serbisë për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërshtetërore.

Zvarritja e dialogut ka krijuar pasiguri tek qytetarët

Stërgjatja e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, ka bërë që të shtohet presioni i ndërkombëtarëve ndaj dy shteteve për avancimin e dialogut për arritjen e marrëveshjes finale, gjithëpërfshirëse dhe obligative për të dyja palët.

Edhe pse Qeveria e Kosovës në opinionin publik nuk është duke i kushtuar rëndësi të madhe vizitës së zyrtarëve perëndimorë, ardhja e përfaqësuesit të SHBA-ve, Gabriel Escobar është dëshmi e seriozitetit të çështjes. Përfshirje direkte e SHBA-ve në dialog është tregues se ora e zgjidhjes përfundimtare po vjen!

Prandaj, Qeveria e Kosovës nuk guxon të jetë kaq indiferente dhe e pakujdesshme në përgatitjen e një platforme shtetërore, me përfshirjen e spektrit të gjërë politik, shoqërisë civile dhe mediave vendore në pragë të fazës finale të dialogut.

Zvarritja e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë ka reflektuar drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Pasiguria për të ardhmen ka bërë që të rritetzhgënjimi i qytetarëve, duke ndikuar në rritjen e numrit të atyre që çdo ditë po e braktisin Kosovën.

Edhe po të ndodhë nesër marrëveshja përfundimtare me Serbinë, qytetarët që kanë ndarë mendjen për të ikur nga Kosova nuk ka kush që i ndalë, për arsye se shkaqet që po i shtynë kosovarët të ikin nga Kosova drejt vendeve perëndimore janë të shumëta, filluar nga mungesa e zhvillimit ekonomik, pabarazia qytetare, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, funksionimi i keq i sistemit shëndetësor, degradimi i sistemit arsimor e deri tek bastardimi i të gjitha institucioneve shtetërore dhe atyre komunale, të kapura tmerrësisht nga bandat partiake dhe klanet mafioze që ua kanë bërë jetën ferr qytetarëve gjithandej Kosovës.

Kosova po rrezikon të mbetët vend i shkretë dhe për gjynah të zotit, vetëm me politikanë dhe mbështetës të tyre, me oligarkë ekonomik dhe mbikëqyrës ndërkombëtar që pasurohen mbi kurrizin e shtresave të varfëra.

“Patatja e nxehtë” në duart e Albin Kurtit

Mbetja “patates së nxehtë” në duart e Albin Kurtit, përkatësisht e dialogut me Serbinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve është sfidë e pakapërcyeshme për të parin e ekzekutivit kosovarë i cili pashmangshëm do të përballet me realitetin e krijuar pas 17 shkurtit 2008, e në veçanti me produktet e dialogut 11 vjeçar me Serbinë në Bruksel.

Obligimet ndërkombëtare me të cilat e kanë ngarkuar Kosovën kryeministrat paraprak (Thaçi-Mustafa) në dialogun e Brukselit për Asociacionin e komunave serbe në njërën anë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për ex-territorialitetin e Manastirit të Deçanit në anën tjetër, i cili e bën këtë manastir pronar të 24 hektarëve tokë të Komunës së Deçanit, janë vendime të dhimbshme dhe të pakthyeshme, për të cilat u shprehë çartë edhe përfaqësuesi i SHBA-ve, Gabriel Escobar!

Bazuar në këto realitete të hidhura dhe sfidave para të cilave ndodhet kryeministri Albin Kurti, konsiston edhe prolongimi i dialogut me Serbinë! “Pataten e nxehtë”, të bartur nga njëra qeveri në tjetrën siq duket një ditë do ta gëlltisim të gjithë së bashku, për shkak se bashkësia ndërkombëtare është lodhur me ne, përkatësisht me liderët kosovarë fjalëmëdhenj e punë pak, të cilët interesin e shtetit e ndërlidhin me interesin personal dhe anasjelltas!

Ndërkombëtarët nuk të falin asgjë. Do të marrim atë që kemi fituar, do ta humbasim atë që e kemi humbur! ‘Qeveria Kurti 2’ me legjitimitetin më të lartë qytetarë nga paslufta, përkatësisht LVV+LV me shumicën parlamentare në Kuvend duhet t’i jepin zgjidhje problemit me Serbinë, e jo të ankohen sikurse “gratë e këqija” se fajin e ka ky apo ai subjekt, ai apo ky lider partiak.

Populli i di të gjitha, i di meritat dhe të bëmat e secilit në dobi dhe dëm të shtetit të Kosovës!

Për të mos u zgjatur, fare lehtë mund të ndodhë që bashkësia ndërkombëtare shumë shpejtë do t’na vëjë para dy alternativave për zgjidhjen përfundimtare. Prandaj, klasa politike pa humbur kohë duhet t’i lë menjëanë interesat partiake dhe ato personale, për t’u unifikuar në përmbylljen e dialogut me Serbinë, për të nxjerrur më të mirën e mundshme. Kësisoji, me dhe pa fajin tonë kemi arritur në situatën sfiduese, që të zgjedhim “Ja hunin ja tirqit”! Zgjidhje të tretë nuk kemi!

E vetmja shkëndijë shprese për qytetarët e këtij vendi ka mbetur ngjizja e një force të re politike nga elita intelektuale dhe forcat progresive nga Kosova dhe Diaspora, në të kundërta zbrazja në heshtje do ta kthejë Kosovën në një vend të shkretë, pa njerëz dhe pa shpresë për jetë!