Ministrja gjermane e shtetit për Europën dhe Klimën, Anna Lührmann, në vizitën e saj të parë në Tiranë solli mesazhin e angazhimit të Gjermanisë për “nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit në BE.”

Anna Lührmann, ministre e shtetit për Europën dhe Klimën përfundoi vizitën e saj të parë në Tiranë (18.01) duke theksuar, se: “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, perspektiva e tyre e integrimit europian janë strategjike për qeverinë e re federale. Gjermania angazhohet që kjo të ndodhë as më shpejt, kjo ka rëndësi për stabilitetin e rajonit. Ballkani është i rëndësishëm për Europën”, tha Ministrja e Shtetit, Lührmann në konferencën e përbashkët për shtyp me zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.

Vizitat në rajon, në Tiranë dhe një ditë më parë (17.01) në Maqedoninë e Veriut e ministres gjermane të shtetit, Lührman, zv/kryeministri Ahmetaj i vlerësoi si „një sinjal tejet domethënës për rëndësinë që i kushton qeveria e re gjermane integrimit europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

Në përgjgje të pyetjes së DW lidhur me drejtimet, se ku do të angazhohet konkretisht qeveria e re federale për të mundësuar nisjen sa më parë formale të negociatave të anëtarësimit, të bllokuara edhe për Shqipërinë nga Bullgaria për shkak të mosmarrëveshjeve mes saj dhe Maqedonisë së Veriut për çështje të gjuhës dhe historisë, Ministrja Lührmann bëri me dije në konferencën për shtyp: „Po punojmë fuqishëm që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE të bëhet një çështje me rëndësi qendrore. Të ecim përpara për të finalizuar bisedimet për Maqedoninë e Veriut që mosmarrëveshjet të zgjidhen në nivel bilateral. Kemi pritshmëri optimiste për hedhjen e hapave përpara. Kemi marrë sinjale pozitive nga Bullgaria për të gjetur një zgjidhje”, theksoi Lührmann për DW.

Procesi i Berlinit prioritet i lartë

Lidhur me nismat për afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në, ministrja e shtetit , Lührmann tha, se për qeverinë e re gjermane, “Procesi i Berlinit mbetet prioritet i lartë”,duke risjellë në vëmendje nismën diplomatike të verës 2014 të ish-kancelares Angela Merkel, për t’i dhënë impulse të reja procesit të integrimit europian të Ballkanin Perëndimor që mori emrin ”Procesi i Berlinit.”