Pandemitë nuk vdesin – ato zbehen, shkruan “The Economist”. Kështu ka të ngjarë të ndodhë me COVID-19 edhe gjatë këtij viti. Është e vërtetë se do të vazhdojë të ketë shpërthime lokale dhe sezonale, veçanërisht në vendet e nënvaksinuara. Epidemiologët gjithashtu duhet të tregojnë kujdes ndaj shfaqjes së varianteve të reja që mund të jenë në gjendje të shmangin imunitetin e ofruar nga vaksinat. Megjithatë, gjatë viteve të ardhshme, ndërsa COVID-19 kthehet në një sëmundje endemike, siç është gripi apo ftohja e zakonshme, jeta në pjesën më të madhe të botës do t’i rikthehet normalitetit, ose të paktën, një normaliteti post-pandemik.

Pas kësaj perspektive, fshihet një sukses mahnitës dhe një dështim i trishtë. Suksesi është fakti se një numër shumë i madh njerëzish janë vaksinuar dhe se, në çdo fazë të infeksionit, nga simptomat e lehta deri tek kujdesi intensiv, ilaçet e reja tani e reduktojnë shumë rrezikun e vdekjes. Krijimi dhe licencimi i shpejtë i kaq shumë vaksinave dhe trajtimeve për një sëmundje të re, është vërtet një triumf shkencor.

Për vaksinën e poliomielitit u deshën 20 vjet që të kalohej nga provat e hershme, deri në licencën e saj të parë në Amerikë. Deri në fund të vitit 2021, vetëm dy vjet pasi SARS-COV-2 u identifikua për herë të parë, bota po prodhonte çdo muaj rreth 1.5 miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19. Airfinity, një firmë të dhënash, parashikon se deri në fund të qershorit 2022, mund të prodhohen gjithsej 25 miliardë doza. Në një samit në shtator, presidenti Joe Biden bëri thirrje që 70% e botës të vaksinohet plotësisht brenda një viti. Furnizimi duket se nuk është më problem.

Megjithatë, vaksinat nuk ofrojnë mbrojtje të plotë, veçanërisht për të moshuarit. Por edhe në këtë drejtim, shkenca mjekësore duket se e ka përballuar sfidën. Për shembull, simptomat e hershme mund të trajtohen me Molnupiravir, një pilulë antivirale që merret dy herë në ditë dhe që përgjysmon numrin e vdekjeve dhe shtrimeve në spital. Të sëmurët rëndë mund të marrin Dexamethasone, një kortikosteroid, që ul rrezikun e vdekjes me 20-30%. Janë krijuar edhe ilaçe të tjera si Remdesivir dhe një koktej tjetër antitrupash i prodhuar nga kompania Regeneron.

Përfytyrojeni kombinimin e vaksinave dhe trajtimeve si një bllok muresh, ku çdo mur pengon një pjesë të sulmeve virale që ato të mos bëhen fatale. Ngritja e çdo muri të ri ul edhe më tej vdekshmërinë nga COVID-19.

Megjithatë, krahas këtij suksesi, ka pasur edhe dështim. Një arsye tjetër pse COVID-19 do të bëjë më pak dëm në të ardhmen, është sepse ai tashmë ka bërë shumë dëm në të kaluarën. Një numër shumë i madh njerëzish janë të mbrojtur nga variantet aktuale të COVID-19, vetëm sepse janë infektuar më parë. Dhe shumë të tjerë, veçanërisht në botën në zhvillim, nuk do të kenë akses ndaj vaksinave ose ilaçeve për një kohë të gjatë./ The Economist