Përgatitja e një pjate me makarona në shtëpi po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë në Itali, pasi çmimet që paguhen për to nga shitësit me pakicë dhe nga supermarketet parashikohet të rriten me 38% deri në fund të janarit.

Për të zvogëluar ndikimin e faturave më të larta të energjisë dhe të kostos së rritur të grurit, disa prodhues të makaronave janë detyruar të rrisin çmimin e shumicës për makaronat, tha për gazetën Il Sole 24 Ore këtë javë Vincenzo Divella, shefi ekzekutiv i kompanisë së makaronave Divella.

Rritja e çmimit të makaronave mund të rëndojë ndjeshëm shpenzimet ditore të familjeve italiane për ushqime. Sipas grupeve të industrisë Unione Italiana Food dhe Organizatës Ndërkombëtare të Makaronave, Italia mbetet vendi referencë për prodhimin, konsumin dhe eksportin e makaronave.

Çdo italian konsumon mbi 23 kilogramë makarona në vit, duke u renditur në vendin e parë dhe duke u ndjekur nga Tunizia (17 kg), Venezuela (15 kg) dhe Greqia (12.2 kg), sipas sindikatës italiane të ushqimit. Në vitin 2020, në këtë vend u shitën mbi 50 milionë pako të tjera me makarona.

Për konsumatorët italianë, brusketat kanë pësuar rritje më të vogla ҫmimesh dhe, për këtë arsye, mund të bëhen alternativa më tërheqëse që mund të zëvendësojnë makaronat.

Thatësirat, pengesat në zinxhirët e furnizimit, mungesa e fuqisë punëtore dhe rritja e kërkesës kanë rritur çmimet e ushqimeve në të gjithë globin me rreth 25% vitin e kaluar. Indeksi i Kombeve të Bashkuara që monitoron çmimet e ushqimeve vazhdon të jetë afër nivelit më të lartë të të gjitha kohërave që arriti në vitin 2011, ndërsa çmimet mesatare u rritën me rreth 28% në vitin 2021, shifra më e lartë në 14 vjet. Kostot e rritura kanë prekur edhe supermarketet, duke ushtruar presion mbi zyrtarët dhe buxhetet e familjeve, si dhe duke përkeqësuar urinë, veçanërisht në vendet e varfra.

Në Itali, inflacioni në muajin e kaluar u rrit në nivelin më të lartë të më shumë se një dekade, ndikuar edhe nga rritja e çmimeve të energjisë. Rritja e kostove të makaronave vjen për shkak se çmimet për grurin e fortë në Europë, i cili përdoret për përgatitjen e tyre, u rritën me më shumë se 75% vitin e kaluar sepse të korrat në Kanada, eksportuesja kryesore e këtij gruri, u dëmtuan nga thatësira./ Bloomberg