Një ndër emblemat e shqiptarizmës, që padyshim në 100 vjetorin e pavarësisë mendojmë se duhen shkruar dy radhë, si një ndër rilindasit e sotëm, është shqiptari i madh Mark Krasniqi, rrënjët e të cilit sic është shprehur disa herë ai vetë para viteve nëntëdhjetë gjatë vizitave në Tropojë, janë bash në fshatin Gjonpepaj të krahinës së Nikaj Merturit, paraardhësit e të cilit u shpërngulën në rrethinat e Pejës këtu e para një shekulli.
Ata që kanë patur fatin e madh ta njohin nga afër, u mbetet gjatë Në kujtesë prezenca e tij elegante, e folura e rrjedhshme, veshja tërheqëse dhe paraqitja e një babaxhani, ndonëse tashmë i ka kaluar të nëntëdhjetat. Almona Bajrami, ish punonjëse e ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë, kujton takimin me Mark Krasniqin para disa kohësh, e cila kishte mbetur e habitur, por njëherazi e befasuar nga prezenca e tij në atë moshë…
Po kush është ky personalitet dhe burrë i madh i kombit që ngrys ditët dhe netët e pleqërisë së thellë, por me aktivitet të dendur në Prishtinë, kryeqendrën e shtetit të Kosovës?
Profesori , akademiku, shkrimtari, studiues dhe poeti Mark Krasniqi u lind më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941 gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës në Itali, e prej 1946- l950 ka studiuar gjeografinë e etnografinë në Universitetin e Beogradit. Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës “Rilindja” në Prizren, bashkë me Esad Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beogradi (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961 ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd asistent, pastaj bashkëpunëtor shkencor. Ka diplomuar më 1950 në Beograd, kurse më 1960 ka doktoruar në Universitetin e Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.
Mark Krasniqi shkruan poezi për fëmijë dhe të rritur, po ashtu merret me studime shkencore në lëmitë e gjeografisë dhe etnografisë.
Akademik Mark Krasniqi është vlerësuar dhe nderuar nga personalitete boterore dhe shqiptare, nga asosacione akademike e kulturore dhe mban disa tituj nderi nga akademi shkencore europiane.
Ai edhe në këtë moshë të pleqërisë së thellë është tepër aktiv, shkruan çdo ditë , përdorë kompjuterin, e para disa muajsh botoi edhe veprën e fundit me titull “Besa në traditën shqiptare”. Ky libër i veçantë në llojin e vet , është vlerësuar nga personalitete të shumta shqiptare e jo vetëm, si një ndër studimet më të plota që i është bërë institucionit të besës.Për kontributin e madh të tij, komuna Lekbibaj i ka dhënë titullin e nderit “Qytetar Nderi”.
Besim Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës , shpreson se edhe pse Mark Krasniqi është në moshë të shtyrë, “Besa në traditën shqiptare”, të mos jetë vepra e tij e fundit.
Pajazit Nushi thekson se ne kemi në duar një vepër madhore që i bën nder traditës dhe historisë sonë kombëtare.
Ndërsa Esat Stavaleci shkruan se tematika që trajton libri i Mark Krasniqit , ”Besa në traditën shqiptare”, i siguron atij një prani të përhershme në histori dhe pritet që ky libër të jetë si nxitje për të rinjtë që të bëjnë hulumtime të vazhdueshme në këtë aspekt.
Ndërsa akademiku 92 vjeçar Mark Krasniqi , duke i bërë një përshkrim të shkurtër punës së tij shumëvjeçare. , në përurimin e librit, theksoi se besa si institution, sublimon të gjitha vetitë pozitive të moralit shqiptar. Ai citoi një shkrimtar francez i cili në shkrimet e tij cek se “feja e shqiptarëve është besa“. Besa dhe kanuni i Lekë Dukagjinit, shprehet akademik Krasniqi, kanë qënë së bashku ligje të përmbledhura për nevoat e atëhershme që kanë patur rolin e rregullimit te jetës fisnore, zakonore dhe tradicionale në trojet shqiptare.
Mark Krasniqi ishte nxitësi dhe organizatori kryesor i ngritjes së monumentit të Skendërbeut në Prishtinë më 28 nëntor 2001. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, presidneti Rugova ka thënë :“ I nderuari profesor Krasniqi, ju falemnenderit për angazhimin tuj, që në Prishtinë e ngritet këtë monument, e kryet edhe një punë që i ka hije profesorit. Falenderoj edhe udhëheqjen komunale të kryeqytetit, që përkrahu angazhimin e profesor Krasniqit dhe të gjithë ata që kontribuan, pra TMK-ja, pastaj të tjerët që i përshendeti profesor Krasniqi që e sollën monumentin, apo shtatoren e Skënderbeut në Prishinë, që e kemi këtu para nesh. ”
Akademik Mark Krasniqi, si një bashkëpunëtor besnik dhe krah i djathtë i Presidentit Rugova, jo vetëm i qëndroi pranë por edhe e mbështeti prijësin historik të shqiptarëve të Kosovës, në momenetet më delikate të historisë dhe lëvisjes për liri, pavarësi e demokraci, nën emeblemën e LDK-së
Mark Krasniqi mbylli sytë në Prishtinë më 28 gusht 2015.