-Një Delegacion nga Gjermania,me personalitete të Mërgatës Shqiptare, Z. Osman FERIZI – bashkëluftëtar i “Heroit të Kosovës”, Sali ÇEKU  dhe  kryetar i LDK për Gjermani;  Z. Rexhep NIKÇI- përfaqësues i Mërgatës Shqiptare në Bavari; Z. Xhevdet MURIQI- veprimtar i njohur, pasardhës i Zhujë SELMANIT të Historisë Shqiptare; Z. Maxhun SMAJLI- kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Gjermani; si dhe studentja në Munih të Gjermanisë, Fatbardha NIKÇI- këngtare e njohur, të cilët nderuan e lartësuan me praninë e tyre Manifestimin Kulturor Kombëtar “Ora e Maleve” (Edicioni XII) në Rrozhajë-

Shkruan, Maxhun SMJALI – kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve“ për  Gjermani

            Në bibliotekë, derisa përgadisë për botim librin “Lufta dhe dilemat shqiptare“, pjesën e tretë, nga Rozhaja më vjen një ftesë për pjesmarrje në Manifestimin Tradicional Kulturor “Ora e Maleve”. Ftesë kjo që ndezi një zjarr në shpirtin tim; dëshira ishte e madhe, por mundësia materiale ishte e vogël. Apo, më mirë me thënë, e pa mundur.

 

 

 

 

 

 

Në Aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës (nga e majta): Mr. Ing. Rexhep NIKÇI dhe Maxhun SMAJLI

Kur kuptova se ky Manifestim ishte emruar “Ora e Maleve”, në mendjen time m’u ngjallën ata që nuk jetojnë e nga të cilët mësova për herë të parë fjalën miteologjike “Ora”; “Ora e shtëpisë”, “Djalë me Orë”, “Të vdektë Ora” etj., mit ky që i ka shoqëruar shqiptarët që nga lashtësia e, që ka kuptimin e fatit dhe mbrojtësit të njeriut.

Kjo miteologji ma solli në mendje edhe porosinë e gjyshes sime, Rabës. “Mos iu frigo jetës, biro. Je djalë me “Orë”, më pati thënë. Dhe, këtë fjalë e jetova me 05 mars 1998.       Pikërisht, kur në Prekaz luftohej, unë kidnapohem nga forcat kriminale serbe dhe hidhem për të vdekur buzë lumit “Drini i Bardhë”, pranë më kishte qëndruar “Ora”, e cila më mbajti në jetë.

Edhe kësaj radhe, kur shpirtin tim e ka pushtuar dëshira e madhe e mbështjellë me frikë, “Ora e Maleve” kishte dërguar malësorin, rugovasin, Mr. Ing. Rexhep Nikçin, për të ma shuar zjarrin e zemrës dhe ngjallur shpresën për pjesëmarrje. Sa pa pritur çdo gjë u ngjall tek unë, kur bashkë me Mr. Ing. Rexhep Nikçin, si me krahë shqiponje, fluturuam drejt atdheut.

            Në Rozhajë, “Ora e Maleve“, i bashkon Shqiptarët

Në përkujtim të te vrarëve dhe masakruarve nga dora kriminale serbe e malazeze, në fshatrat e Rozhajës, u mbajt Manifestimi Tradicional Kulturor “Ora e Maleve”, edicioni i XII-të. Përkundër masave ligjore nga pandemia globale, Covid 19, salla e madhe e Qëndrës Kulturore, në Rozhajë, ishte mbushur me bashkatdhetarë të ardhur nga anë të ndryshme të trojeve shqiptare dhe mërgata.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kulturës, artit, politikës dhe shtetit; z. Ismet Kallaç, përfaqësues i Komunës së Rozhajës, zambasador Flamur Gashi, këshilltar i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Genc Nimanbegu, deputet në Parlamentin e Malit të Zi, Mr. Ing. Z. Rexhep Nikçi, përfaqësues i Mërgatës Shqiptare në Bavari, z. Ismet Azizi, nga Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, z. Xhevdet Muriqi, z. Arif Arifaj dhe shumë të tjerë.

Të pranishme ishin edhe mjetet informative vizuale dhe të shkruara; RTV “Fontana”, “Gazeta e Alpeve”, “Marshi i Mërgimtarit” etj.

Disa nga të pranishmit në sallën e Manifestimit “Ora e Maleve” në Rrozhajë

Pas intonimit të Himnit Kombëtar dhe Një Minutë heshtje në nderim të viktimave të terrorit serbo-malazez, në pranverën e vitit 1999, në fshatrat e komunës së Rozhajës, moderatoret, Altiana  Zogaj dhe Senada Pepiq, filluan me programin sipas skenarit të paraparë nga Këshilli Organizativ i këtij Manifestimi.

Fillimisht, të pranishmit i përshendeti, përfaqësuesi i qytetit nikoqir, z. Ismet Kallaç, i cili, mes tjerash, tha: “Karakteri i këtij manifestimi është shprehje e kulturës së popujve që jetojnë në komunën e Rozhajës me rrethinë. Me këtë rast përshendes këtë manifestim dhe organizatorin, Ali Dacin”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasador Flamur Gashi, mes tjerash, foli edhe për vizitën që i është bërë shkollës së vetme shqipe në komunën e Rozhajës, në Dacaj, dy vite më parë, ku kryetari i Republikës së Shqipërisë, ShTZ.. Ilir Meta, kishte premtuar ndërtimin e objektit të shkollës, nëse nuk do ta ndërtonte Qeveria e Malit të Zi. Megjithatë, një pjesë të infrastukturës së saj do ta merr përsipër shteti amë, Shqipëria.

Këshilli Organizativ, “Ora e Maleve”, nderoi ambasadorin Flamur Gashi, me Çmimin e Lartë “Ora e Maleve”, me motivacion; -Për kontribut të çmuar në diplomaci, histori, kulturë dhe studime, duke sjellur refleksione të çmuara në fushën e politikës dhe diplomacisë dhe në çështjet shqiptare në trojet etnike dhe mërgatë”.

Z. Flamur Gashi, ambasador, Z. Genc Nimanbegu, deputet

            Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Genc Nimanbegu, deputet, mes tjerash, tha:”Të dashur bashkëkombas, kur janë në pyetje aktivitetet kulturore është mirë që politika të heshtë. Shpirti kulturor mund të ngritet vetëm me ju, të nderuar poetë, shkrimtarë, piktorë e tjerë të artit krijues, andaj edhe iu uroj suksese”.

Në emër të familjarëve të te vrarëve, të pranishmit në këtë Manifestim i përshendeti, z. Dren Brahimaj, i cili, në pika të shkurtëra, foli për barbarizmin serbo-malazes ndaj refugjatëve nga Kosova. Ai, mes tjerash, tha: “Ora e Maleve” po na bashkon për të na përkujtuar një të kaluar shumë të vështirë të popullit shqiptar. Me 18 prill të këtij viti u bënë 22 vite kur forcat ushtarake kriminale serbo-malazeze, në fshatin Husaj, sulmuan grupin prej 50 refugjatësh nga Kosova. Në këtë golgotë shqiptare bënin pjesë burra e gra, pleqë e fëmijë, në mesin e tyre ishte edhe një foshnje gjashtë muajshe, ku u vranë gjashtë prej tyre. Mirëpo, në intervalin kohorë, mars-maj 1999, janë vrarë edhe 15 të tjerë duke e çuar numrin e refugjatëve të vrarëve në fshatrat e Rozhajës në 21 persona, çka sot i kujtojmë me mallë e dhimbje. Për këto krime, Gjykata Speciale e Malit të Zi, ka ngritur akt-akuzë, por sot e kësaj dite askush nuk u denua përkundër fakteve të shumta; dëshmive, fotografive, të gjitha si argumente të dorës së parë”.

Në emër të Mërgatës Shqiptare në Bavari, të pranishmit i përshëndeti, Mr.Ing. Rexhep Nikçi, i cili mes tjerash, tha: “Duke falenderuar, z. Ali Daci, që bashkoi shqiptarët që nga Jugu e deri në Veri, por edhe nga Mërgata, ju njoftoj, se Mërgata Shqiptare nuk po ndalën së vepruari në interes të çështjes kombëtare, si në aspektin kulturor, humanitar, krijues e poashtu edhe në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Momentalisht, në Bavari, ndjekin mësimet plotësuese në gjuhën shqipe mbi 500 fëmijë shqiptarë. Janë të shumta edhe takimet e krijuesve ku prezantohen vlerat krijuese të shumë autorëve. Në të njëjtën kohë, po në këtë republikë gjermane, që nga tetori i vitit 2015, vepron edhe BPSH “Akademik Mark Krasniqi””.

Mr.Ing. Rexhep Nikçi, përfaqësues i Mërgatës Shqiptare në Bavari

            Madhështinë e këtij Manifestim Kulturor përkujtues ia shtuan Grupi Polifonik “Aromë Laberie”, të cilët u prezantuan me dy pika muzikore polifonike dhe studentja nga Munihu, Fatbardha Nikçi, e cila interpretoi aq mrekullueshëm këngën për kryetarin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugoven, me të njëjtin titull; “Ibrahim Rugova”.

Grupi Polifonik “Aromë Labërie”              Studentja, Fatbardha Nikçi

 

Ora Poetike e “Orës së Maleve”

Pjesa e pestë e programit të “Ora e Maleve”, iu kushtua krijimtarisë. Fillimisht, u bë promovimi i librit, “Biri”-  i autorës, Flutura Açka, nga Tirana. Prof. Behar Gjoka, i cili referoi për librin, mes tjerash, tha: “Lirisht mund të them se libri “Biri“, i autores, Flutura Açka, është libër i vitit 2020, 2021 dhe i shumë viteve të  tjera që do vijnë. Një vetërrëfim që shkon në zemër të lidhjes së epërme mëmë-bir, një “udhëtim“ tronditës i qenies nënë në metafizikën e humbjes“.

Nga e majta; Flutura Açka, Ali Daci dhe Behar Gjoka

        Në pasthenien e këtij libri, mes tjerash, shkruan: “Ky libër nuk mëton të zgjojë dhemshuri, as të shpjegojë se sa e tmerrshme është vdekja, si “substanca“ që ndërton pikllim, por se sa tragjike është të mbyllësh jetën në të ritë e tu të bukur, dhe më tej, se sa fatale është të mos dish ta jetosh atë edhe ashtu, të shkurtër nga fati“.

Këshilli Organizativ i këtij Manifestimi kulturor përkujtues kishte menduar edhe për autorën Flutura Açka, të cilën e nderuan me Çmimin e Lartë “Ora e Maleve“, me motivacion: Për prurje të artit krijues në nivele të larta artistike, publicistike e shkencor origjinalitetin e mendimit kritik, si dhe format autentike të narracionit që ka përcjellë në letërsinë bashkohore shqipe

Në “Ora Poetike“, me vargjet e tyre u paraqitën autorë të shumtë të ardhur nga treva të ndryshme të atdheut; Valbona Hadri, Albi Lushi, Mirsada Krasniqi, Ilmi Kurti, Nikollë Loka, Mihane Hoxha, Llesh Ndoj, Vlash Prendi, Eqrem Zenelaj dhe Aleksandër Hasanas.

Kulmi i vlerës së Manifestimit Tradicional Kulturor “Ora e Maleve“, arriti kur në sallën e Qëndrës Kulturore të Rozhajës u shfaq Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Xhevat Limani me monologun për Skënderbeun, solli Gjergjin në Rozhajë. Ai, erdhi me mesazhe të fuqishme për shqiptarët; të bashkohemi si një trup i vetëm, ta duam njëri-tjetrin dhe të mos e harrojmë të kaluarën tonë të lavdishme.

            Xhevat Limani gjatë interpretimit të monologut “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu“

Në këtë Manifestim Tradicional Kulturor “Ora e Maleve“, u nderuan me Çmimin e Lartë “Ora e Maleve“ edhe poeti, z. Albi Lushi, njëherësh, kryetar i Lidhjës së Shkrimtarëve dhe Artistve të Republikës së Shqipërisë, z. Muhamet Rogova, magjistër i shkencave të letërsisë, krijues e studiues dhe Osman Ferizi, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega për Gjermani. Ndërsa, me Mirënjohje “Ora e Maleve“ u nderuan Mr. Ing. Rexhep Nikçi, Lume Daci-Hoti, mësimdhënëse në Nürnberg, Shoqata “Rugova” në Nju York dhe Xhevdet Muriqi, veprimtar.

Me Çmimin e Lartë “Ora e Maleve“, u nderova edhe unë, autori i këtyre rreshtave, njëherësh, themelues dhe drejtues i bibliotekës së vetme në mërgatën shqiptare në botë, “Akademik Mark Krasniqi“, me motivacion; -Për kontribut të çmuar në gazetari, histori, kulturë dhe studime, duke sjellë refleksione të çmuara në fushën e gazetarisë investigative, në sensibilizimin e çështjes shqiptare në trojet etnike dhe diasporë”.

 

Ali Daci, Maxhun Smajli dhe Selman Zogaj

                Po sot, në këtë Manifestim, Selman Zogaj, për BPSH „Akademik Mark Krasniqi“, në Gjermani, kishte sjellur dhjetë eksemplarë të numrit 50, të “Gazeta e Alpeve“.

Derisa autorët Flutura Açka dhe Ismet Azizi dhuruan nga një eksemplarë të librave të tyre; “Biri“ dhe “Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri“.

Kjo ishte edhe një ndjenjë tjetër nderimi e respekti për mua. Me këtë rast, pata nderin ta takoj edhe basketbollisten më të mirë të Kosovës dhe më larg, Saranda Dacin, për të cilën do bëj një shkrim të veçantë në numrat e ardhshëm të “Gazeta e Alpeve“ dhe “Marshi i mërgimtarit“.

                                    Saranda Daci dhe Maxhun Smajli

Dhe, krejt në fund, për të gjithë të pranishmit në këtë Manifestim Kulturor, u kthye një darkë e begatë, me të gjitha të mirat.