Në medien shoqërore shkruajnë kundër pritjes së afganëve. Por ata që shkruajnë nuk janë kundër pritjes së afganëve. Ata janë:
-Kundër politikës së “rilindasit” që ulet në zyrën e kryeministrit.
-Kundër vetëparaqitjes së tij si hero: po luftoj i vetëm kundër primitivizmit dhe fashizmit shqiptar. Si hero njihet vetëm në hapësirën cilindrike me lartësi 1.95 metra e diametër 0.5 metra.
-Kundër jotransparencës. Transparenca mungon:
-kur fshihet diçka e pandershme;
-kur nuk e di ç’bëhet;
-ose për të dyja bashkë.
-Kundër fjalëve në erë e punëve kurrnjëherë. Sigurova një miliard dollarë ndihma për tërmetin, pat deklaruar. Ku shkuan një miliard dollarët, nga cili xhep në cilin xhep? Familje të shkatërruara nga tërmeti po presin dimrin e tretë në çadra.
-Kundër vetëparaqitjes si proamerikan pa fund. Proamerikanë janë shqiptarët. Ai mos është pro pushtetit vetjak pa fund?
-Dhe “kundër” të tjera.
PS. Nuk janë kundër vetëparaqitjes si udhëheqës vizionar europian. E vetmja sjellje e tij që i argëton e i shkrin gazit.
Sepse është njerëzore.
Sepse e kemi traditë.
Sepse është kërkesë e aleatit të madh strategjik, SHBA.
Arsye të mjaftueshme me ua çelë derën afganëve.
Vetëm një arsye kundër: keqpërdorimi i kësaj pritjeje nga njeriu që duket në zyrën e kryeministrit, kur s’ka punë në feisbuk. Ka rënë në hall me shqiptarët që s’dinë ç’është Netflixi. Afganët që do të mbahen në Shqipëri qenkan yje të artit e të dijes!