Nga MUSTAFA V. SPAHIU

 

I.

Katër stinësh të jetës Orfe i shpresës,

Riosh i magjepsur n’ “Lulet e verësë”-

Vargjet tua m’i hapën krahët e derës,

“Bagëtia e bujqësia” sinonim i besës.

 

Dagëllisë e pash prejardhjen diellore,

Në Frashër m’u shfaqe ti bilbil vetë, e

Ditëve lind përsëri nga Zoti i vërtetë,

Ç’i bie xhurasë – fyelli jehonte prore.

 

Bulëzon frashëri me një bredh të ri,

Vjosa t’i lanë faqet sapo nis t’agojë,

“O eros” çdo foshnje nis t’belb’zojë.

 

Qeshja jote na flladit – qershor me shi,

E – “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve,”

“Istori e Skënderbeut” nis e t’parëve.

 

II.

 

Me penë këndove – gjuha jote na flet,

Cepave t’Arbërisë bukur e ke mbjellur

Te kro’i fshatit t’gjithë janë mbledhur;

Këngëtim’i zjarrtë – palca jonë këlthet.

 

N’galakse – mburrja ty sa të ka hije…

Ndaj engjëllit mordja s’kishte mëshirë!

Ngado ta kërkojmë fjalën më t’dëlirë-

“Gjithësia” t’nis kurora thurur me yje!

 

 

Majës s’Tomorrit n’amshim i diellzuar,

Në këtë përvjetor – na flakrojnë sytë;

Vallë, lindja jote është si qiellit yjtë…

 

As penat e reja s’kanë për t’harruar,

Grykës së Gramozit lehtas vjen erë,

Poet zemrash – me ne je përngaherë.

 

III.

 

Vijnë zogjët e jugut me këngë të arta,

Faqet e stinëve çdo ditë po përtriten.

Ëndërrat e blerta – shkëmbit po rriten;

Ylberet e dyfishta – hovesh me flatra.

 

Nga tok’e bekuar çdo lule sythat i qet,

Ardhja poetit po kumbon në hapësirë,

Me artin naimian ende nuk jemi ngirë!

Sa bukur e tjerri fjalën n’boshtin e vet.

 

Lindur e rritur n’Frashërin e Përmetit,

Abdyli gjithë vëllezërit i morri me vete,

Me fatin në ballë shtigjeve t’kësaj jete.

 

Vajtën në Janinë pastaj përtej – detit!

Veprat i kem’ peng vatrash shekullore,

Shekujt varg s’do t’i harrojnë prore…

 

E shtunë, 6/7 mars 2021, në

Dardaninë Ilire