Poemth nga Ahmet Prençi

 

I.

U kris qelqi i kësaj vjeshte të vonë –

plasi «krrak!» në qenien time.

Gjethet shkapetur ndër trotuarë –

vorbull e ligë me njoftime.

U shprishën ngjyrat vajtje-ardhje.

Tash endem jerm. Tash vij vërdallë.

 

Paske ikur miku im,

këtij fillimdhjetori,

pa kthim;

paske fluturuar larg!

Pas uturimës së fortë drithëruese,

I beftë, i acartë

ky largim.

 

Zemra jote e bukur nuk vret kënd!

Por paske lënë pas fjalë të zjarrtë;

tash ia dëgjoj krismat zërit tënd –

pezmit tënd të qartë.

 

Tani shikoj dritën e fjalës tënde – shigjetë;

shikoj tek çirren e shfytyrohen – medet,

lukuni ulërimash – me zë e nën zë çakejtë,

tan këto ditë-net,

krejt terr e rrëmet.

 

II

U arratise si ëndrrat;

pas le mërzinë e ndjenjur si në cisterna,

imazhet e këtij qielli të trazuar mbi ne.

Tash larg të mësyn gangrenë pagjumësia,

travajet e tua s’lundrojnë më mbi këtë dhè.

 

Përditën tënde këtu e le;

S’do dëgjohen më hapat e tu trotuareve të Tiranës.

Ke rrëmbyer vetëtimthi kujtimin e kafeneve,

ku kushedi sa vargje përtype dhe harrove

nën tymin e cigares.

 

Ti ike si në një lojë,

si në fundin e ëndrrës.

 

Auditorët ligjërimit tënd s’do t’ia kthejnë jehun,

le pezull vështrimet rinore që të donin përballë.

Me zbrazëti në shpirt le miqtë që të deshën shumë,

pa fjalë i le njerëzit që të kujtojnë plot mall.

 

Ti kërkove një botë më të mirë,

të sigurtë, të paqtë,

dhe pse më shumë do ferrin tonë,

të dhimbshëm,

të marrë.

I ke kënduar bukur, me trishtim e mall;

Të përzunë lakenjtë, banditë e trutharë.

 

Ikja jote gjëmon,

bërtet,

trazon,

trondit.

Ikja jote s’është si çdo ikje.

Ti ike edhe për ne,

por prore, e di, me besën e kthimit

si një Promete…

 

Mundimet t’u shtuan këtij dhjetori të ftohtë,

gjithçka e këtij dheu mungon këtij fillimdimri,

asgjë tënden s’e gjen n’atë copë tokë,

pret me ankth ç’do sjellë e panjohura,

ikja,

shtegtimi.

 

Çkurdisur ritmi i ditëve të tua

ngarkuar,

rënduar,

malluar,

trishtuar,

mallkuar thellë e më thellë.

Pret mëngjesin zgjuar,

ngrysesh dëshpëruar

me mendjen cfilitur,

gjumin trazuar,

O poet zemërmirë me shpirtin kështjellë.

 

III

Pse iku? – thonë,

skërmiten, çirren, nostalgjikë, idhtarë,

ata që mendjes tënde duan t’i venë prangë, kufi.

Të syrgjynosur të duan, të vrarë,

si në kohën e tyre, përsëri.

 

Ti të pushkatuarve u dhe zë e fuqi;

të vdekur e gjysëm të vdekur i bëre të flasin,

ndaj u zgjuan fantazmat e pëzishme e klithin n’agoni –

fantazmat e kohëve mortore, në piskamë vikasin.

 

Shajnë,

kërcënojnë,

lajthisin,

rrokullisen,

përmbysen,

humbin,

rishfaqen e këlthasin,

si hienat.

 

I bashkon nata, mënxyra

në terrinë të ndërgjegjies së pistë moçal

dhe aty, në pus të mëkatit, mllefngarkuar pëlcasin.

Po, si fantazma me kafka në duar

u ngritën të babëzitur mizorët,

kushtrim e vikamë lëshuan,

në iso gërthasin, klithin për gjak;

marrshojnë grushtbashkuar, sillen vërdallë

gjirizeve të zeza. Vikasin të tjera kufoma,

pa qefin e podille, kufoma fosile

(kufoma që shkojnë e vijnë si Ponc Pilatë),

Pa ritual…

 

Kërkojnë kokën tënde miku im,

të dehur janë,

të ndërkryer me urrejtje;

të kërkojnë të vdekur,

të kërkojnë të gjallë

me ngulm kanibal.

 

E di ç’dëshpërim bluan atje larg, e di…!

këto klithmat i dëgjon i çmeritur,

po ëndërr e zhgjëndër për ty është Atdheu –

Atdheu ynë i çoroditur

në kërrusmë e brengë –

i tkurrurr,

i lodhur,

në agoni-

atdheu ynë i marrë peng.

 

Ti ke ikur dhe për ne…

Ke parë? Këtu na dalin të tepërt dhe poetët!

Ndaj të përzunë,

ndaj të kërcënuan

se janë të paanë në urrejtjen e verbët.

 

Ne të presim, të presim…

 

Ta shkruaj këtë letër pa adresë

kësaj nate dimri – grirë në mërzi.

Krejt, mbase do thinjem, deri në mëngjes,

por këtë natë të vonë po e gdhij me ty.

… këtë natë mallkimesh, nginjur – herezi.

 

12.12.2019

(E pa publikuar më parë)