Autorët serb kanë shkruar shumë mbi prejardhjen e fiseve malësore shqiptare, duke i cilësuar shpesh si me prejardhje sllave. Ndër më të famshmit është Andrija Joviqijeviq, që argumenton (gabimisht) se me qenë se pleqtë e Hotit mbajnë mend se fiset e vjetra në Malësi flisnin shqip, fiset kryesore të sotshme duhet të kenë folur një gjuhë tjetër. Kështu, Kelmendin një herë e klasifikon si fis me prejardhje vllahe, pastaj spekulon edhe për prejardhje serbe.

Javët e fundit përfundoi analiza gjenetike e dy prej familjeve të vjetra (anas) të Hotit, dhe të dyja i takojnë linjës atërore E-V13>Z5017>Z16988>BY62310/BY105970, të njëjtës nëndegë ku gjendet edhe trungu kryesor i fisit të Kelmendit. Pra, analiza vërtetoi lidhjen e gjakut mes Kelmendit dhe asaj popullsie që vetë Joviqijeviq e cilëson me siguri të plotë si popullsi shqiptare që para formimit të fiseve që njohim sot, duke hedhur poshtë përfundimisht tezën e tij rreth dallimeve mes popullsisë së vjetër dhe fiseve të sotshme.

Në fakt, përveç dy familjeve nga Hoti i vjetër, Kelmendi ka lidhje gjenetike edhe me disa anëtarë të tjerë të Projektit Rrënjët nga krahina të ndryshme të trojeve shqiptare. Disa prej këtyre anëtarëve, përfshirë edhe njërën prej familjeve anase në Hot, do të kenë shumë shpejt rezultate me rezolucion të lartë që do të zbardhin më tej prejardhjen e këtyre fiseve e familjeve, dhe do të zhvillojnë në formë më të plotë pemën gjenealogjike të linjës atërore E-V13>Z5017>Z16988>BY62310/BY105970.

Edhe fiset e tjera të Malësisë kanë lidhje gjenetike me fise nga treva të tjera shqiptare, për të cilat do të vazhdojmë të shkruajmë në të ardhmen.

Artikullin ynë i mëparshëm mbi Kelmendin (para përfundimit të analizës së familjeve nga Hoti): http://rrenjet.com/kelmendi/?fbclid=IwAR0WCX9pPkRX2lAGU1ZuZw5d4f2hIdoqzSnY7aQTBXJLpwUPqY8tXyrX-kw

Lista e plotë e rezultateve të Projektit Rrënjët: http://rrenjet.com/databaza-publike/?fbclid=IwAR16ZCylF6IVX8lnFNWdpKg4Tc5juU76sLER7mqpPhVVRzo-uoEyt5YouQg