NATO i ka dhënë Maqedonisë së Veriut donacion prej 60 respiratorësh për t’u përballur me pasojat e koronavirusit të ri (COVID-19), me vlerë 1,4 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Mbrojtjes Radmila Shekerinska; Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pritën donacionin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Ministrja Shekerinska theksoi se me donacionin e sotëm vërehet pse ishte shumë e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s, duke shtuar se solidariteti i aleancës nuk është vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

“Këto janë mjete në vlerë prej mbi 1,4 milion euro, të cilat u dhuruan nga USAID pra nga SHBA, janë pjesë e pajisjeve mjekësore rezervë të NATO-s të vendosura në Itali, që arritën këtu me aeroplan të Forcave Ajrore Italiane, që u financua nga Luksemburgu”, tha ministrja Shekerinska.

Kryediplomati Osmani theksoi se jetojmë në një kohë sfidash dhe se virusi është gjithnjë e më i pranishëm dhe më i rrezikshëm.

“Kjo është një kohë kur solidariteti midis njerëzve, shteteve dhe aleatëve është më i rëndësishëm. Mendoj se sot u dëshmua se kurrë nuk do të jemi të vetëm në luftën kundër çfarëdo armiku, qoftë ai i padukshëm apo i dukshëm”, tha Osmani.

Duke theksuar se simboli i kësaj krize shëndetësore është solidariteti, ministri Filipçe tha se të gjitha vendet kanë dëshmuar se çfarë do të thotë të ndihmosh njëri-tjetrin dhe të ndahen përvojat dhe njohuritë.

Lidhur me atë nëse vendi është gati të përdor donacionin prej 60 respiratorësh nga NATO, ministri Filipçe tha se departamentet dhe stafi mjekësor në spitalin “8 Shtatori” janë të gatshëm dhe se pajisjet do të përdoren për të transportuar pacientët në auto-ambulanca nga një spital në një tjetër.

“Ka një staf mjekësor që ka përvojë të madhe në punën me këto makina, kryesisht anesteziologë, por gjithashtu infektologë dhe disa internistë që kanë njësi të kujdesit intensiv brenda departamenteve dhe spitaleve të tyre”, shtoi Filipçe.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me masat e marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, Filipçe tha se nëse respektohen masat, ata duhet të japin rezultate dhe rezultati i zbatimit të tyre pritet në një muaj.