Nju Jork, pandemia godet rëndë turizmin

Ekonomia e Nju Jorkut është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Markat ikonë të qytetit mund të mos hapen më kurrë, veçanërisht dega e rrjeteve të hoteleve Hilton në kryqëzimin e famshëm Times Square.

Vijay Danapani, president i Shoqatës së Hoteleve të Nju Jorkut thotë se qyteti nuk është përballur kurrë me një krizë kaq serioze.

“Le të mos flasim fare për turistët ndërkombëtarë. Njerëzit nuk mund të vijnë në Nju Jork nga 35 shtete amerikane. Në të shkuarën kur kishim kriza si 11 shtatori, apo recesioni i madh, të paktën amerikanët vinin nga mbarë vendi. Tani, të coptohet zemra kur e shikon Nju Jorkun që është shkëputur nga bota, nga pjesa tjetër e Amerikës.”

Shumë hotele marrin fonde nga qyteti për të strehuar endacakët. Por shumë nga të pastrehët vuajnë nga varësia nga droga dhe prania e tyre ndryshon karakterin e lagjeve, thonë pronarët e bizneseve si Paul Fable, i cili është brezi i katër i familjes së tij që drejton këtë restorant.

“Në lagjen tonë kemi patur gjithmonë disa qendra strehimi për endacakët. Puna e tyre është ndëprerë, që është shembull klasik i asaj që po ndodh në lagjen tonë. Kjo na ka nervozuar dhe tensionet janë të larta.”

Në stacionin e tragetit në lagjen Staten Island, Jenny Sanchez, thjeshtë dëshiron që jeta të kthehet në normalitet.

“Shpresojmë për një vaksinë në mënyrë që të kthehemi në normalitet.”

Anthony Rodriguez ka ardhur me pushime nga qyteti Los Angeles. Ai thotë se ndihet i sigurtë falë masave të sigurisë që ka marrë qyteti.

“Ka pak njerëz. Por dua të them se udhëzimet e sigurisë po zbatohen dhe mund të jesh vizitor dhe të ndjehesh i sigurtë. Mirinformimi të ndihmon të mos jesh i rrezikuar.”

Moussa Diop punon për një kompani që ofron vizita turistike me autobus në qytetin e Nju Jorkut.

“Në këtë periudhë të vitit vendi duhet të ishte plot gjallëri, plot me njerëz nga ku nuk mund të lëvizje. Por askush nuk po vjen. Njerëzit janë të frikësuar.”

Denzel Robinson beson se qyteti i tij i Nju Jorkut do ta marrë veten.

“Qyteti nuk dorëzohet dhe do ta gjejë një mënyrë për ta marrë veten. Nju Jorku është vendi më i mirë në të gjithë botën për mendimin tim.”

Qyteti ka regjistruar mbi 35 mijë raste me koronavirus deri tani dhe mbi 3 mijë vdekje, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.

Rastet e konfirmuara me koronavirus janë rritur përsëri në Shtetet e Bashkuara, çfarë mund të bëjë që shumë amerikanë të mos frekuentojnë dyqanet apo restorantet.