Ai apo Qoftëlargu

Herë – herë Ai këqyr diskun e kuqrremtë të diellit se si humbë gjithnjë e ma tepër mbas reve të kuqrremta, të cilat, gjithashtu, si për me ndjellë një muzg të dëshiruem, murrëtohen e nxihen.
Ndërkohë që muzgu ka ra, Ai vjen duke e zbutë baritjen e vet nervoze dhe dikur ndalet si në mëdyshje për me zanë vend në ndonjanën prej ndejsve të ulta rretheqark banesës, pamja e së cilës i ngjan një apartamenti të zakonshëm, madje mundet me marrë hijen e kështjellës së përfytyrueme, por, pse jo, edhe të shpellës së lashtë, ku thuhet se ashtë zanafilla e të parëve të këtij trolli.
Me ardhjen e muzgut ndihen gjithnjë e më shumë do tinguj muzikorë të qetë e të prajshëm, si prej një parajse terri, që shplodh e këndellë jetën dhe Ai vendos ma në fund të ulet për të shijue ambëlsinë e saj.

Ai
(me za të ultë, vetmevete)

Zotit i qofshim falë, s’po na harron
nata e paqme me zbritë
venave të trazueme,
paqton, lëmon dhe ftofë
vrapin e egër të dëshirës
shkurreve të shkurrueme, ku drita
ditën për diell ndjek kaprollin.

Zotit i qofshim falë, s’na lëshoi
shpresa e lodhme në terrin që prêt
hendeqeve të rrudhave,
shkreh, liron e prish
çarkun e ngrehun të pritës
fijeve të barit ku drita
ditën për diell ndjek andrrën.

(Zani i një kori të lashtë)

Ditën për diell, ditën për diell…

Ai
(me shikim të papërcaktuem nga qielltavani i dhomës)

Syni i kuq,
i pamëshirshëm i dritës…

Kori
Ditën për diell, ditën për diell…

Ai

…na i ban të tejdukshëm trupat tonë.

Si përmes qelqit na shfaqen rropullitë
e mendim mënxyrës.

Në qindra pasqyra
lëvizja jonë lakuriqe përgjakë
ankthin e duerve
që nuk shndrrrohen në gjethe fiku

(Ngrihet zani i korit)

Ditën për diell, ditën për diell
po mbytemi në pellgun e shpresës sonë
kaikeshpueme.
Kaq shumë u majmëm?!
Asnjë krah zogu
kërkund s’tregon tokën e premtueme,
zhytemi gjithnjë, pa njoftë mëkatet tona.

Ai
(në gjunjë)

Mblidhe dritën, zot, në rrjetën tande!
Luspat e arta të peshqve,
kokërdhokët e hapun të shuhen në oqeanin tonë.
Palë – palë errësinat të shtohen
sa gishtin mos ta shof para syve.
Çoje me fjetë bishën dhe
më lejo që gjyqin t’ia baj vetvetes…

Kori

Ma lehtë mund të lirohesh prej hijes
se prej vetvetes, rob i përjetshëm!
Dyert e randa të qelisë tande
Dryn e shulandryshkun mos i luej!

(Një pjesë e korit në hije që vallëzon)

Terri na ndrin, qorri na prin
Në akull lindim, në diell ngrijmë,
O lueje, moj, lueje kambën!

Ai
(sërish në gjunjë vazhdon të lutet)

Gjyqin t’ia baj vetvetes,
më lejo me gjetë gjurmën e humbun
të rendjes pas yllit të mbytun
në dallgë dritash të rreme.

Jo me hapë detin për mue, Zot,
më jep një shteg të sigurtë,
ku ecja të mos tradhtohet prej gurëve që s’janë gurë,
një copëz kalldrëm,
pakëz ujë
me la fytyrën.

Kori

Ditën për diell, ditën për diell
mesnata vjen në pikë të drekës.
Guva zgjon guvën në fluturime qorre
ajri krimbet,
merr erë
kufoma e ditës që s’e hanë as korbat.

Vetë kulla tash duket si e untë për muzg e paqe. Dhe Ai ngjan se prêt i untuem muzgun, prekjen e butë të territ dhe hijen që ka me sjellë, siç andrron, zbutjen e visorit të egër, rrafshimin e karmave e të rrudhave ndër balle e shkrepa. Ai shpreson gjithashtu se do të zbutet lehja e qenit dhe se kanë me i ra dhambët hakërrimit e fyerjes që orë e çast ia ban secili njani – tjetrit.

Ai
(në gjunjë me një pamje tejet të lodhun)

Më kputi vërshimi i dritës,
lavdet e mia për dritën si dorë fmije
krifës s’ kërleshun të luanit…
Feneri i qorrit tash tre mijë vjet
ndih ata që shohin, të përplasen me qorrin.

Papritmas bie dera.Dera që ngjan si portë e hekurt kulle, si hyrja e fortifikueme e një kështjelle të lashtë, apo si mazgalla e një shpelle të vuvosun me rrasën ciklopike, fillon e shkundet gjithnjë e ma shumë.Trokitja shndrrohet në shkundëllimë. Si prej një tërmeti, fillon e dridhet dyshemeja, shkunden sendet brenda dhomës, tringëllojnë qelqet e lëkunden ndriçuesit në tavan.

Ai
(ka braktisë lutjet dhe përmes lëvizjesh aspak të qeta shfaq haptas habinë dhe panikun.)

E paska një derë kulla ime!
Një derë, disa dritare, dritë –
njëmijë mallkime, kthetrat e të cilave
këqyrin, çjerrin midis meje e teje
plafin e lehtë e të hollë të vetmisë.

E shkallmueme më shumë prej dhunës se sa shendit të mikpritjes, mburoja e brishtë e derës hapet vetvetiu. Bashkë me një vrundull ere duket se brenda ka hy një kreaturë tjetër, prania e të cilit si gjysmëhije, gjysmëmjegull, e bardhë natyrisht, por si e bardha e një syri të verbuem, Atij i shkakton drithma e ia çon mishin kokërr…

Gjysmëhija

S’po më pyet kush jam,
pse erdha?…

Ai
(Që nuk beson se po i flasin. Me pak shpirt, dëgjon veç zanin, pa kthye kryet.)

Bane zot andërr!…

Gjysmëhija

Ah, harrova, kjo shtëpi nuk e pyet mikun,
Kjo shtëpi fisnike…

Pa guxue me e pa, Ai ndjen se si po ia zbardhin dhambët e talljes, se si në lëkurë i ngulen thonjtë e përqeshjes dhe shtrembnon fytyrën nga inati e dhimbja.

Kori
(zani që ngrihet)

Ma lehtë mund të lirohesh prej hijes
se prej vetvetes, rob i përjetshëm!
Dyert e randa të qelisë tande,
dryn e shulandryshkun, mos i luej!

Gjysmëhija

Ju e keni ba natën me barrë,
por po t’ thom se s’jam pjellë e natës.
Nata është krejt e paqtë.

Atij që i thonë qoftë larg,
Madje aq larg sa qielli me tokën,
qoftëlargu…

Ai
(kthen kryet)

Natyrisht që nuk je!

Gjysmëhija

Jam !

Ai

Je! Me që thue, je! Kushdoqofsh,
dreq a bir dreqi,
Fol, ç’dreqi të pru ?!

Gjysmëhija

S’më polii barku i natës, thashë!
Isha në barkun tand.

Kori

Dyert e randa të qelisë tande
dryn e shulandryshkun mos i luej!

Ai mbetet I pataksun me vështrimin e mpimë drejt vendit ku duhet të ishin sytë e tjetrit, ato dy zgavra ku shtillen si në boshllek boshte bebzash të lëbyrshme.

Gjysmëhija

Në bjeshkë të Pikëllimës nuk i zune besë
babës tand, kur të foli për mue.
Përralla paganësh, the, përçartje.
S’më polli nata, po t’them,
isha në barkun tand!

Ai

Me sy kaq të bardhë?!

Gjysmëhija

Edhe të zez, sa zija ma e zezë
e korbit të kobeve
në virrmën e plangjeve të shueme;

me sy të larmë,
rrëqebull në prag vere,
livadhit me lule të jetës,
para vrapit plot shend të fëmijëve;

gri,
si ditë e shurdhtë dimni,
shkrep i shkretë vetmie;

sy të jeshiltë,
lëmyshk i fjetun,
therje e helme krimesh të vjetra;

të blertë,
gjeth i ri, shpresa të reja;

të kaftë si mërzia,
të kuq, të kuqërremtë, all, bojëgjak…

Ai

Mjaft, të lutem, mjaft!

Por Ai duket se nuk ka kujt t’i flasë. Hija e asaj gjysmëhije – gjysmëmjegulle tash ashtë tretë.Veç një flutur, si rreth llampës i sillet përqark fytyrës së zbehtë që s’i ka mbetë pikë gjaku.Madje, ai farë gjasendi as flutur ma nuk ashtë.Një krimb i vockël, i zbërdhultë, shfaqet e një grimë herë i kulmohet murit. Tue u ngjitë, ky farë krimbi shndrrohet sakaq në mokën kutërbuese, në shkrapsë të shpejtë, pastaj në një bollë, në gjarpër parajse, që midis harlisjes së degëve rrëfen ambëlsinë e kuqlueme të mollës. Bahet orrle ma vonë. Si në pëllëmbë të dorës, për me pa se qysh ngarendin më kot, ku sytë kambët, lepujt e tmerruem të frikës. Kokërr misri bahet, klloçkë me zogj pastaj, sqep e pupla të hapuna që i sulen kokrrës për ta gëlltitë. Edh i imtë, i lazdruem që luen te kambët e tij. Ujk me sy të verdhë, pyll i dendun, akullnajë, dredhë e rreptë ere. Atij i merren kambët dhe të ngjan se bota po i sillet vërdallë, sa mend shembet përdhe.

Gjysmëhija
(që shfaqet sërish)

Mos u trembe?

Ai

Pas shpinës time qenke?!

Gjysmëhija

Edhe para teje.
Nuk është problem zhvendosja ime
as formimshformimi.
Kot po kqyrë telefonin, këtu
s’të vijnë miqtë, as policia
e s’i duhet kujt doktori.

Ai
(vetmevete)

Metamorfozë folku
a kafkiane,
për shkak të ditës
a për shkak të natës?!…

Gjysmëhija

Ha-ha-haaa, për shkak të shkakut,
a për qejf të qejfit!

Ai

Boll m’i zhveshe dhambët!

Gjysmëhija

Kërkujt s’i pëlqejnë dhambët e tjetrit.

Ai

Thyeje qafën,
ti natën m’vodhe!
Ku e ke strofullën,
ç’skutë a gjiriz t’volli,
S’po m’duhet.
Po deshe, hy prapë nga dole,
Ti pjellë monstrash, dreq a bir dreqi!
Po, ku je ti, reja e zotit?!

Gjysmëhija

As be, rrufe, namë e gjamë plakash
s’ka. Tash jam veç unë përballë teje.
Lavdëro fatin që t’zgjodhi
midis baltës dhe mburru që pe
trajtat e mia. Bashkë me lisin kur bie
kalben bimët përdredhëse, pa u matë
me qiellin. Shkrumbon flaka hyjnore
palcën e diellit e bari dëgjon
oshëtimën. Përtruellsin, a nuk e djeg
zilia e flatrave, gjytrymin – freskia
e atletit dhe llumin, a nuk e çon peshë
hurdha e kthjelltë?! As vorri
s’mund t’i ndreqë disa gunga.
Lungat e fshehta mbledhin qelbin
që nuk e mbysin as parfumet e shtrenjta.
Skaptojnë eunukët, në duhmë bordellesh
seliten shkallët e pushtetit të dhunës
së ndershme. Në langun e flijimeve të njoma
të dofarë virtytesh, fryhet lakmia.
S’kanë le ende viruset që shkatërrojnë
vesin. Po kur t’shkojë unë, i mjeri ti,
I mjeri, qysh ke me e njoftë vetveten?!

Kori
(një pjesë e tij)

Ma lehtë mund të lirohesh prej hijes
se prej vetvetes, rob i përjetshëm…

(Pjesa tjetër e korit)

Ditën për diell, ditën për diell
mesnata vjen në pikë të drekës.
Guva zgjon guvën në fluturime qorre,
ajri krimbet,
merr erë
kufoma e ditës që s’e hanë as korbat.

Me të mbarue kështu kumtin e tij jo pak të çoroditun, nën përcjelljen zamekun të korit, gjysmëhija-gjysmëmjegull u hoq me rrapëllima prej kthinës që tash i ngjan ma shumë një apartamenti të zakonshëm se sa një kështjelle apo asaj shpellës së lashtë, ku thonë se mund të gjindet zanafilla e të parëve të ktij trolli. Dëgjohen tingujt e një muzike të shqetësueme dhe Ai me nervozizëm e shton baritjen e vet sa në një cep të kthinës në tjetrin dhe të ngjan se vështrimi i tij lyp përgjigje që duket se s’do të vijë kurrë. Madje duket se u thotë të gjithëve me ankth padijen e vet të plotë, nëse, në këtë kthinë fatvrame, ka mbetë Ai apo Qoftëlargu që u duk se u largue.

*********************************************
(Botuar me 31 korrik, 2016 ne “Gazeten Shqiptare” ne suplementin “Milosao”, Falenderoj botuesin e nderuar Ben Andoni!)