Në të gjithë botën numri i personave të prekur nga COVID-19 ka arritur në më shumë se 17.6 milionë sipas statistikave të universitetit Johns Hopkins. SHBA vazhdon të udhëheqë me më shumë se 4.5 milionë të infektuar, ndjekur nga Brazili me 2.6 milionë raste dhe India me rreth 1.7 milionë prej fillimit të pandemisë. Meksika ka zëvendësuar Britaninë duke u renditur e treta në botë për nga numri i vdekjeve nga COVID-19. Në Meksikë kanë humbur jetën mbi 46 mijë vetë. SHBA vazhdon të udhëheqë në nivel botëror për nga numri i vdekjeve si pasojë e virusit, me më shumë se 153 mijë raste. Media ruse njoftoi se Moska po përgatitet të nisë një fushatë vaksinimi masiv kundër koronavirusit në shtator ose tetor. Njoftimet i referohen burime sipas të cilave vaksina është zhvilluar në një institucion kërkimor shtetëror. Ndërkohë në një kamp veror në shtetin amerikan të Xhorxhas, u regjistrua një përhapje e gjerë e koronavirusit, një zhvillim që shërben si paralajmërim lidhur me debatin nëse duhet apo jo të hapen shkollat. Sipas një studimi të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kampi kishte ndjekur udhëzimet që kishte dhënë agjencia, por nuk u kërkonte fëmijëve të mbanin maska. Nga rezultatet e testeve për vetëm 344 nga 597 të atyre që ishin në kamp, 76 për qind e tyre rezultuan të ishin infektuar. Shkalla e infektimit mund të jete më e lartë nisur nga fakti se Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nuk i testuan të gjithë fëmijët që ishin në kamp.