Sipas një studimi të kryer nga Brand Finance Football 2020, Real Madrid ruan, edhe për vitin 2020, kryesimin si marka e futbollit më e kushtueshme në botë. Vlera e markës së klubit këtë vit është 1,419 miliardë euro (në rënie krahasuar me 1,664 miliardë euro në vitin 2019).

Në vend të dytë në klasifikim është një tjetër klub spanjoll, Barcelona, vlera e markës së të cilës është 1,413 miliardë euro, në rritje me 1,4% krahasuar me vitin e kaluar. Manchester United mbyll podiumin. Vlera e markës së klubit anglez është 1,314 miliardë euro (në rënie me 10,7% krahasuar me një vit më parë).

Në Top 10 të klasifikimit mbizotërojnë klubet e Premier League, 6 në total (19 nga Top 50); 2 klube spanjolle – Barcelona dhe Real Madrid; 1 klub gjerman, Bayern Munchen dhe 1 francez, Paris Saint-Germain. Juventus mbetet stabël në vend të 11, vlera e markës të të cilit është rritur me 11% në 676 milionë euro.

Klubi i Bundesligës 1, FC Köln, është marka me rritjen më të shpejtë këtë vit, ndjekur nga Leicester City dhe RB Leipzig – të gjitha kanë regjistruar rritje më shumë se 40%.

Real Madrid nuk është klubi i vetëm, vlera e markës të të cilit ka rënë këtë vit. Për shkak të koronavirusit, për herë të parë në gjashtë vjet, vlera totale e 50 markave të para në futboll ka rënë në përgjithësi. Në tre burimet kryesore të të ardhurave, Matchday, Broadcasting dhe Commercial, pandemia ka sjellë një rënie totale prej 751 milionë eurosh, ose 3,7%

Të ardhurat nga Matchday (ndeshja e ditës) në 501 ndeshjet e mbetura në 5 kampionatet kryesore në Europë ranë në zero – por shpesh janë klubet dhe kampionatet më të vogla që varen më së shumti nga ky fluks të ardhurash. Në Skoci, për shembull, të ardhurat nga Match Day përfaqësojnë 43% të të ardhurave totale, përkundër 13% në Premier League.

Edhe kontratat nga Broadcasting (të drejtat televizive) kanë pësuar një goditje të fortë. Klubeve të Premier League iu kërkua t’u rimbursonin më shumë se 330 milionë sterlina transmetuesve vendas (22% të totalit vjetor), ndërsa rimbursimet në Ligue 1 kapën vlerën 243 milionë euro (28% të totalit).

 

Real Madrid ruan kryesimin edhe në nivelin e Enterprise Value (EV), me vlerë më shumë se 4 miliardë euro. Në vend të dytë qëndron Manchester United, me vlerë më shumë se 3,8 miliardë euro, kurse në të tretin, Liverpool, me 3,7 miliardë euro. Juventus qëndron në top 10, por zbret një vend më poshtë. Vlera e sipërmarrjes së klubit është 2,079 miliardë euro (në rënie me 10% krahasuar me 2019).