Gjithë kjo retorikë për unitet dhe frymë mirëkuptimi brendakombëtar nuk ka për qëllim të favorizojë asnjë forcë politike në hapësirën shqiptare. Pra, në këtë kontekst as në Maqedoninë e Veriut nuk duam që të kuptohemi se po mbështesim ndonjë parti apo ndonjë lider, sepse po të kishim dashur do ta bënim këtë, por kemi qenë dhe do të jemi kundër çdo përkrahjeje parciale që prish harmoninë dhe kohezionin e brendshëm politik, kombëtar e social të shqiptarëve kudo që ndodhen ata

Nga Mehmet PRISHTINA

Shqiptarët në Ballkan ndonëse i ka nda historia, ata nuk guxojnë të sillen kundër frymës së unitetit dhe mirëkuptimit të brendshëm kombëtar. Asnjë sukses i cilësdo ngjarje të hapësirës shqiptare, nuk mund të ketë efektin e duhur, nëse ai sukses nuk është edhe rezultat i përpjekjeve të përbashkëta. Mjafton të përmenden dy, tri ngjarje të tilla, siç ishte, bie fjala, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë etj. të cilat arritën të kenë efekt galvanizues në gjithë hapësirën etnike shqiptare pikërisht në saje të fuqisë mobilizuese të kombit tonë, ku interesi i përgjithshëm ishte motori kryesor që vënte në lëvizje çdo krahinë e çdo bajrak, pavarësisht përkatësive rajonale, fetare, dialektore e fisnore. Kjo ta kujton edhe Motin e Madh të Gjergj Kastriotit kur u kthye triumfalisht nga Stambolli në Krujë dhe bashkoi me një kushtrim lirie të gjithë krerët e Arbërit.

Sado që dialektika e kohës ka sjellë ndryshime rrënjësore në gjeopolitikën e shqiptarëve në Ballkan, fryma e unitetit dhe mirëkuptimit të brendshëm kombëtar megjithatë duhet të mbetet konstanta logjike e zhvillimit të ideve e projekteve që gjenerojnë  vlera mobilizuese. Nëse kthehemi jo më larg se para 22 viteve, Kosova ndodhej në një kontekst mjaft të ndërlikuar që ishte shumë domethënës për të ardhmen e shqiptarëve si komb. Në vitet e bujshme 1998/99, në terrenin vështirë të Kosovës po zhvillohej një prej dramave më të ndërlikuara të historisë, por epilogu i kësaj drame iu dha të drejtë gjithë atyre që zgjodhën rezistencën e armatosur si mjetin e vetëm për të fituar dinjitetin dhe lirinë e nëpërkëmbur nga okupatori serb.
Nga perspektiva e tanishme, efektet e asaj drame duken madhështore, jo vetëm për nga bilanci i ngjarjeve që rrodhën, por edhe për nga dimensioni i përfshirjes së resurseve më të gjera njerëzore nga mbarë hapësira etnike shqiptare. Uniforma e UÇK-së në vitet 1989/99 shkëlqimin e vet po e maste me reflektorët e ndërgjegjes kombëtare që ishin ndezur në çdo cep të hapësirës etnike shqiptare, që nga Konispoli e deri në Plavë e Tivar, që nga Medvegja në Sarandë, që nga Tetova në Bajgorë, që nga Manastiri në Podujevë, që nga Drenica në Labëri. Prandaj me të drejt sot thuhet se shteti i Kosovës është produkt i një lindje të vështirë që solli në jetë pavarësinë e shumëpritur, kurse të gjithë ata vëllezër e motra që kontribuan në këtë proces, përfshi edhe miqtë tanë përtej Atlantikut dhe ata evropianë, mund të ndjehen pjesë e këtij fryti mbarëkombëtar.

Tani a e kemi luksin ne si komb t’i shikojmë gjërat e fragmentuara kur janë në pyetje disa ngjarje, të cilat janë pjesë e proceseve politike, sociale e shoqërore në hapësirën etnike shqiptare. Bie fjala,zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut që kanë filluar të hënën e që do të përfundojnë të mërkurën, a kanë mundur të krijojnë ndonjë efekt keqkuptimi në raportet brendashqiptare, konkretisht sa këto zgjedhje nxorën në sipërfaqe një prirje të panevojshme të protagonizmit politik që kishin si synim imponimin e një fryme pak a shumë përçarëse nga politikanë e liderë të caktuar të Kosovës, të cilët mungesën e sensit drejtpeshues e zëvendësuan me mbështetje të njëanshme të subjekteve të caktuara partiake në këto zgjedhje parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Ky veprim pa takt i përfaqësuesve të rëndësishëm të jetës politike kosovare, që u manifestua në formë të një paternalizmi të panevojshëm kundrejt shqiptarëve të Maqedonisë, nëse nuk arrin në të ardhmen të korrigjohet, duke risjellë në vëmendje frymën e unitetit dhe mirëkuptimit brendakombëtar, mund të jetë një precedent i keq që iu hap udhë tendencave përçarëse në hapësirën etnike shqiptare.

Të gjithë ata që i kanë ndjekur zhvillimet politike në mesin e viteve 90-të në Maqedoni, do ta kenë mbajtur mend ndërhyrjen pa takt të PD-së së Shqipërisë në fragmentimin dhe copëzimin e lëvizjes politike shqiptare atje, ku për rrjedhojë erdhi deri tek përçarja e PPD-së dhe montimi i disa proceseve e aferave që e bënë këtë forcë politike të humbas fuqinë e ndikimit në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë.

Për të mos ardhur deri te këto tendenca përçarëse, besoj që këta të njëjtit politikanë nga Prishtina që apeluan të votohen parti të caktuara në Maqedoninë e Veriut, në të ardhmen do të demonstronin një diskurs tjetër publik, duke ftuar gjithë spektrin politik në këtë shtet të jenë më të bashkuar në frymën e unitetit dhe mirëkuptimit brendakombëtar, ashtu siç u veprua ditë më parë me forcat politike shqiptare në Serbi të Jugut ku vetëm të bashkuar arritën të fitojnë tri ulëse në parlamentin e këtij shteti.

Krejt në fund: Gjithë kjo retorikë për unitet dhe frymë mirëkuptimi brendakombëtar nuk ka për qëllim të favorizoj asnjë forcë politike në hapësirën shqiptare. Pra, në këtë kontekst as në Maqedoninë e Veriut nuk duam që të kuptohemi se po mbështesim ndonjë parti apo ndonjë lider, sepse po të kishim dashur do ta bënim këtë, por kemi qenë dhe do të jemi kundër çdo përkrahje parciale që prish harmoninë dhe kohezionin e brendshëm politik, kombëtar e social të shqiptarëve kudo që ndodhen ata.

  Prishtinë, 13 korrik