Bullgaria ka vendosur të rikthejë një numër masash kufizuese, pas rritjes të mprehtë të rasteve të reja me koronavirus në vend.

Që nga 10 korriku, janë të ndaluara vizitat në disko, bar-piano, si dhe në klubet e natës. Vendet e argëtimit do të lejohen të hapura vetëm në hapësirat e jashtme me 50 për qind të kapacitetit dhe me respektimin e masave anti-epidemike.

Sipas urdhërit të ministrit të Shëndetësisë Kiril Ananiev, nuk do të lejohen më shumë se 30 persona në evente të brendshme apo të jashtme, siç janë dasmat, ballot apo pagëzimet.

Nuk do të lejohen spektatorë në të gjitha ngjarjet sportive kolektive dhe individuale për të gjitha grupmoshat, në ambientet e brendshme dhe të jashtme.

Urdhri gjithashtu përcakton që ministrat dhe organet shtetërore duhet të marrin masa të menjëhershme kontrolli në të gjithë vendin, dhe përpjekjet duhet të përqendrohen në zbatimin e detyrueshëm dhe pajtueshmërinë me masat anti-Covid.

Autoritetet rajonale, kryetarët e bashkive dhe administratat e rretheve duhet të kryejnë kontrolle që masat anti-epidemike janë duke u zbatuar, dhe mund të vendosin masa shtesë në varësi të situatës të Covid-19 në zonat e tyre.

Ministri i Shëndetësisë deklaroi se përhapja e virusit ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të urdhrave anti-epidemikë.

Ananiev tha se analiza e përditshme tregoi se shfuqizimi i mëparshëm i masave, për t’u kthyer në jetën normale, nuk kishte çuar në rezultatet e pritura.

“Prandaj, ne do të rivendosim disa nga masat që ishin në fuqi deri tre javë më pare”, tha ai.