Në edicionin e 303-të javor, CIES Football Observatory analizoi ndryshimin në vlerën e tregut të futbollistëve në pesë kampionatet kryesore, në rast se do të zgjasnin marrëveshjen me skuadrën së cilës i përkasin, për një vit tjetër.

Hendeku më pozitiv i regjistruar është për Jadon Sancho (43 milionë euro, me dy vjet deri në fund të kontratës). Sipas algoritmit të CIES Football Observatory, vlera e transferimit të sulmuesit 20-vjeçar të Borussia Dortmund është pak më e lartë se 180 milionë euro. Zgjatja e kontratës edhe me një vit mund ta rrisë këtë shifër në 223 milionë euro.

Pas Sancho renditet Kylian Mbappé (39 milionë euro) . Nëse talenti francez do ta zgjasë kontratën e tij me Paris Saint-Germain nga qershori i vitit 2022 deri në qershor 2023, vlera e tij e transferimit do të rritej nga 242 milionë euro në 281 milionë euro.

 

Podiumi mbyllet me Lionel Messi (35 milionë euro). Marrëveshja e gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë” me Barcelonën përfundon në qershor të vitit 2021, dhe për këtë arsye, sipas algoritmit të CIES, vlera e transferimit është 80 milionë euro. Nëse Pleshti do ta rinovonte kontratën edhe për një sezon, vlera e transferimit do të rritej në 115 milionë euro.

Kapiteni i Barcelonës është në krye të klasifikimit mes lojtarëve të cilëve u ka mbetur vetëm një vit kontratë, para Georginio Wijnaldum dhe Ferran Torres. Nëse do të rinovonin kontratat e tyre edhe për një vit, vlerat e transferimit do të rriteshin nga 44 në 64 milionë euro për Wijnaldum dhe nga 42 në 61 milionë euro për Torres.