Malet e bjeshkës më bajnë të fortë, më japin hyjnisht qetësinë e vet.
Ku ujë i ftohtë pihet dhe me grushta e gjumi bahet krejt i lehtë.
Aty, me një gisht e kapi Qiellin, me shtatë zemra flas me Orë e Zana.
Unë, qytetari vrritar, aty e përcjell Diellin, aty më pret edhe Hana.

Në bjeshkë takohem me kreshnikët, aty i kanë dhe vorret,
Aty tamli derdhet në korita sikur ujët kur vrellë nga krojet.
Aty krisë alltia mbi rrasa guri, gdhendet emri në lisat trupfortë
Aty doktorri e stresi nuk mund të shkojnë as me eskortë.

Aty psheret e djathit t’i shërojnë edhe plagët e plumbit
Aty dhe dreri e drenusha bajnë dasmën e vitit, skej lumit.
Aty interneti e celulari kqyrin mos me ia prish qetësinë bjeshkës
N’ato lartësi alpine njerëzit ndihen mbretër të vetëvetes.

Atje kurrkush nuk të dvet a kie kartë banke apo je me pasaportë.
Bjeshkët janë nga vendet ma bujare e ma të bukurat mbi tokë.
Ato i njohin qeveritë, dhe për gjithçka e kanë kanunin e vet.
Atje të mbron edhe një degë peme, edhe fëmija në djep…

Atje, bimë, lule, borë, boronica, mish, ujë… natyra t’i jep me dorën e vet.
Atje, trupi rri i freskët, gjaku i pastër, mendja mbahet e kthjelltë.
Bjeshkët janë muze arkeologjik, natyror e zoologjik si rrallkundit,
Atje, jetohet si në përrallat e 1001 netëve, si në vilat e Hollivudit.

U rrita në bjeshkë e nuk po shkoj me ia prek gurin e aromë barin,
Ajo me fllad e lule më ndjek nga pas, ma shton e ma shuan mallin.
Vijnë zogjtë e saj e më këndojnë në rrugët me makina e sirena
Vjen ajri i pastër i saj e ma pastron e gjallëron gjakun në vena…

Kurrkush nuk po ma sheh madhështinë e bjeshkës,
Atë e kam te sytë, tek gjaku, tek shtati, tek hapat e ecjes.
Kur vjen vera e nuk muj i iki vrrinit për me iu ngjit bjeshkës
E di se më mrizon në shpirt mëkati i madh ndaj vetëvetes.

Shqipëri Etnike, 14 qershor 2014