Thuhet se njerëzit dëshirojnë gjithnjë atë që nuk kanë. Kjo ndodh, edhe në kohën e smart working, të përhapur për shkak të koronavirusit. Aq sa një kompani gjermane, Kids Creative Agency, ka krijuar një faqe që riprodhon zhurmat në sfond në një zyrë.

Mjaft të klikoni imisstheoffice.eu, zgjidhni numrin e kolegëve, deri në dhjetë, bëni personalizimet që dëshironi dhe shtypni play. Përveç animacioneve që tregojnë lëvizjet e personave që punojnë në zyrë, ju dëgjoni edhe hapat e dikujt që ecën aty pranë, kolegë që diskutojnë në sfond, zhurmën e karriges kur dikush çohet, telefonat që bien, afër ose larg, zhurmën e fotokopjes, sirtarët që hapen e mbyllen, zhurmën e gishtave të dikujt që shkruan në tastierë, kolegen që këndon atë këngën e bezdisshme, dikë që mbush një gotë me ujë, një tjetër që teshtin etj.

Nuk jemi të gjithë njësoj. Shumë e vuajnë izolimin nga kolegët dhe një ditë pune pa ndërveprime ballë për ballë. Për gjithë këta njerëz që u mungon zyra, kjo faqe është më shumë se një lojë. Nëse ju ndihmon të përqendroheni, pse jo. Në fund të fundit, rëndësi ka rezultati.

Burimi: Repubblica