Ballë FRIKËS si sfidë AVENTURA kërkoi pasaportën
Shumë herë e la në baltë, në ngricë e pluhur.
Dhe s’pyeti kur donte të përmbyste sofrën.
Ku ishte ëmbëlsira, mishi e gota e mbushur.

Shumë herë DYSHIMI e vuri BESIMIN mes grackës.
Dhe njeriu shpiku kamerat dhe kodet e kasafortës.
Dhe shpiku firma noterësh, kyce, nene e gjykatës.
Kur vëllai i dha vëllait dhe një pjesë të vogël të tokës.

Shumë herë LIRINË e përgjaku DHUNA e plumbave.
E varret u bënë mal nga kufomat tërë plagë.
U shkrumbuan pragjet e u dogjën foletë e pëllumbave.
Fjala mbeti e trishtë në heshtjen e gjatë.

Shumë herë ANKTHI e thau që në filiz SHPRESËN.
E vuri në qelinë e ftohtë me njëqind gardianë.
Me mure hekuri donte ta mbyste TË VËRTETËN.
Pa ditur se do ta humbte betejën e gjatë.

Në breza E QESHURA me LOTIN u vunë në garë.
Si rrinë ballaz QIELLI e TOKA, DETI me BRIGJET.\
Nëse nuk pati në tribunë me lule e fitimtarë,
Na erdhën testamentet e gjyshërve si përgjigje.

Mos vallë KORONA është pjesa më e e re e përballjeve
Që mbarë botës buzëqeshjen kërkon t’ia marrë?
Shkuam në Hënë, në Mars, e veshëm rrobat e polumbarëve.
Ndaj do ta thyejmë dhe atë si shkop i thatë.

12 prill 2020