Atje mbaron toka e qielli fillon
E hije të bëjnë pëllumbat e egër,
E vera nuk ikën pa u bërë grua

Hyjnitë e lashta
Përditë i shpallin duel njëra-tjetrës për ty,
Bëjnë luftën që e kam fituar unë
Prej kohësh , bukuri e paemër

Po ti krejt pritat m’i paske zënë:
S’po më le të hyj në dimër

Zgjidh , më pate thënë
Në daç qiellin, në daç tokën
Në mua

Të zgjedh tokën ,mbetem pa qiellin tënd të perëndishëm,
Te zgjedh qiellin ,mbetem pa tokën tënde të lulnueshme

Lëshomi pritat,
E më ler të hyj në dimër

Të bëhem borë , e borë,e borë,
Qiell i rrëzuar në muzgje
E vajzat e reja të më bëjnë burrë prej bore,

Se brenda atij njeriu prej bore
Që fle përjashta në dimrat e botës
Është burri qiellor

Më ler të hyj në dimër !…
…….