Vuthjanët e mërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të përkujdesen për prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre, të cilët janë të vendosur të jetojnë në vatrat stërgjyshore dhe të kontribuojnë në zhvillimin e gjithanshëm të  tyre e, me këtë, edhe të atdheut që i përkasin. Dëshmi për këtë është edhe hapja e bibliotekës në Vuthaj të Plavës e Gucisë.

            Pas rindërtimit dhe përurimit të Shtëpisë së kulturës në Vuthaj vitin e kaluar, për të cilën i kanë dhënë 130.000 dollarë, këtë vit është pajisur me inventar të nevojshëm edhe biblioteka e saj, përurimi i të cilës u bë më 31 gusht të këtij viti. Hapja e kësaj biblioteke, me mesazhin që jepte, ishte një veprimtari mE shumë se kulturore.

Me pjesëmarrjen e tyre, këtë manifestim e nderuan dhe e bënë më kuptimplotë profesori dhe akademiku i shquar Rexhep Qosja, jeta dhe vepra jetësore e të cilit ishte dhe mbetet udhërrëfyese për të gjithë ata të cilët e duan atdheun e lirë dhe të përparuar, babai i dy dëshmorëve të lirisë ende të paplotë të Kosovës, z. Ani Dehari dhe vëllai i tij, Esad Dehari, nga Kumanova, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, z. Reshat Sahitaj së bashku me bashkëshorten e tij znj. Behare Rexhepi, shkrimtare dhe ish-themeluese e Byrosë Informative të Republikës së Kosovës në Bruksel, veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, z. Agush Buja, historiani dhe aktivisti i dalluar, z. Fatmir Arifi nga Presheva,  i biri i atdhetarit të shquar, Ajet Haxhisë, z. Reshat Haxhiu nga Prishtina, anëtarja më e përkushtuar e Lëvizjes për Çlirimin e Trojeve Shqiptare të Okupuara dhe Bashkimin e tyre me Shqipërinë shtetërore, znj. Ajshe Gjonbalaj, nismëtari dhe  njëri ndër aktivistët më të palodhshëm të Këshillit të Fondit për rindërtimin e Shtëpisë së kulturës, z. Esad Gjonbalaj dhe shumë qytetarë nga Plava e Gucia, diaspora dhe viset tjera.

Pas prerjes së shiritit të kuq nga akademiku Rexhep Qosja dhe z. Avni Dehari  (moment ky të cilin e zbukuroi Abetare Ulaj, e veshur me veshje tradicionale vuthjane), të pranishmëve iu drejtua me fjalë përshëndetëse profesor Qosja.

Duke shprehur gëzimin e tij që merr pjesë në një manifestim të këtillë kulturor, profesor Qosja tha se pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve tregon për përkushtimin e tyre ndaj kulturës, por edhe për edukatën  familjare e qytetare të tyre. Në vazhdim profesor Qosja foli për rëndësinë që ka pasur libri në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, për të kaluarën e lavdishme të Plavës e Gucisë dhe rolin e shqiptarëve të kësaj treve në periudha vendimtare historike, veçmas nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej, për numrin e të shkolluarve nga kjo anë, tani  të shkolluar edhe në botën e jashtme, të cilët japin kontributin e tyre kudo që  jetojnë.

Në përfundim të  fjalës së rastit,  profesor Qosja tha se Vuthajt janë një katund  shembullor, me të kaluarën e vet, me historinë e vet, me adetet e zakonet e veta, me virtytet e veta dhe me të sotmen e tyre, gjë që e dëshmon edhe   Shtëpi e kulturës dhe biblioteka e saj.

Gëzon fakti se  para një viti, sapo ishte publikuar  njoftimi se do të hapet biblioteka në Vuthaj,  ishin paraqitur shumë dhurues të librave, jo vetëm nga treva e Plavës e Gucisë, ndër të cilët veçojmë vetëm disa prej tyre.

Me rastin e hapjes së Bibliotekës, Instituti Albanologjik i Prishtinës i ka dhuruar botimet e veta dhe kompletin e veprave të akademik Qosjes, z. Avni Dehari ka dhuruar dhjetëra ekzemplarë të trilogjisë  ”Gjergjat në drita përkrenaresh” dhe të monografisë kushtuar veteranit të çështjes kombëtare, Ali Aliut, Agim Sylejmani i ka dhuruar disa ekzemplarë të monografisë kushtuar pjesëtarit të parë të gueriles në Kosovë, Rexhep Malajt dhe librin“Rrëfime nga burgu”, ku janë paraqitur përjetimet e ish- të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet e Jugosllavisë, tani të ndjerë. Përveç disa ekzemplarëve të librit “Vrapo pas diellit”, piktorja e dalluar dhe poetja Kaltrina Hoti, bibliotekës ia ka dhuruar edhe një pikturë të saj. Shpresojmë se shembullin e saj do ta ndjekin  edhe piktorët tjerë nga Plava e Gucia, si Rexhep Feri, Zake dhe Musë Prelëvukaj, por edhe piktorë të tjerë. Përveç librave dhe  fotografive të personaliteteve të shquara të historisë sonë kombëtare të Krahinës së Plavës e Gucisë dhe të fotografive të mësuesve që kanë dhënë mësim në shkollën fillore në Vuthaj, të cilat tanimë janë vendosur, këtë Shtëpi kulture do e kompletonin dhe do t’ia jepnin rëndësinë e duhur edhe pikturat.

Përurimi i bibliotekës u begatua edhe me përurimin e trilogjisë “Gjergjat në drita përkrenaresh”, e autorit AvniDehari, “Për ty, Plavë e Guci”, poezi, e autorit Ramiz Lushaj, dhe “Vrapo pas diellit”, poezi, shkruar nga Kaltrina Hoti.

Referatin për trilogjinë, të përgatitur nga Hydajet Hyseni, i cili për shkak të angazhimeve nuk kishte mundur të vijë, e lexoi studiuesi, Fatmir Arifi.

Pas fjalës së autorit të trilogjisë, drejtuesja e programit të përurimit, Arbenita Vukaj, shprehi respektin e saj dhe të të pranishmëve për z. Avni Deharin, për të cilin tha se përkundër faktit se për lirinë e plotë të Kosovës kanë sakrifikuar jetën dy bijtë e tij të vetëm, ka forcë dhe vullnet për të krijuar dhe për të vazhduar veprimtarinë e tij atdhetare.

Për librin Për ty, Plavë-Guci” referoi kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, z. Reshat  Sahitaj, ndërsa për librin “Vrapo pas diellit” referoi Binak Ulaj.

Në fund të këtij manifestimi të pranishmit u njoftuan se 31 korriku do të jetë dita e përurimit të veprave letrare, shkencore e artistike të autorëve nga Plava e Gucia, por edhe të krijuesve tjerë që trajtojnë tema kushtuar kësaj treve. Dita e përurimit do ta begatojë manifestimin e përvitshëm kulturor “Mirë së vini në Alpet Shqiptare.”

Hapja e bibliotekës është edhe një mesazh drejtuar vendasve, veçmas të rinjve, të mos i braktisin këto treva, bukuritë natyrore dhe resurset e të cilave ofrojnë perspektivë të ndritshme për të gjithë, veçmas tani kur kushtet kanë ndryshuar për të mirë. Hapja e kufijve dhe asfaltimi i rrugës Shkodër-Plavë e Guci, ua ka kthyer shpresën njerëzve. Jo pak familje kanë ndërtuar shtëpi pushimi për turistët, të cilëve u ofrojnë ushqime natyrale tradicionale. Vargu i turistëve nga shumë shtete, veçmas nga Shqipëria shtetërore, sa vjen e shtohet. Ky numër do të shumëfishohet me hapjen e rrugës Deçan-Plavë, për çka vendasit kërkojnë nga organet përgjegjëse shtetërore të Tiranës dhe të Prishtinës, të ndikojnë tek  Qeveria e Malit të Zi ta vazhdojë ndërtimin e kësaj rruge në territorin e vet ngase, siç është parë deri me tani, kjo qeveri nuk është e interesuar ta bëjë një gjë të tillë. Kështu po ndodhë edhe me vazhdimin e rrugës Grabon Kelmend-Tuz-Podgoricë.

 

Vuthaj, gusht 2019

 

_____________

*Binak Ulaj u lind më 1944 në Vuthaj të Plavë-Gucisë e tani, prej dekadash, jetnon në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Ai është një nga personalitetet e shquara të vendlindjes së tij, të trevave shqiptare në Malin e Zi dhe në Kosovë. Është një ndër veprimtarët politik atdhetar të Çështjes Kombëtare Shqiptare e një nder ish të burgosurit politik të rregjimit të Jugosllavisë së Tretë të Titos. Njihet një ndër penat e shquara të gazetarisë e përkthimeve në Kosovë. Ka punuar dhe mësues e drejtor shkolle si në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë (1993-2003) etj. Ka qënë zv/kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive Themelore të Njeriut në Prishtinë (1996-2000). Në “Takimin e Plavë-Gucisë”, te “Krojet” në Vuthaj, më 1 gusht 2019, “Gazeta e Alpeve”–gazeta rajonale ndërballkanike e hapësirës alpine Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Sanxhak, përgjatë brigjeve të Valbonës, Drinit, Moraçës, Limit e Ibrit, e ka nderuar me “Çmimin e Karrierës” për veprimtarinë e tij në masmedia, letrat shqipe e kulturën kombëtare shqiptare.
 
 
______________________

Te Shtëpia e Kulturës në Vuthaj, pas daljes nga veprimtaria e përurimit të bibilotekës së saj e librave të autorëve Avni Dehari, Kaltrina Hoti e Ramiz Lushaj. 31 korrik 2019.

Pas veprimtarisë, disa prej tyre, u tubuan për drekë mikëpritëse te restoranti i Kelmend (Keli) Vuthaj (Ahmetaj), te Ujvara në Vuthaj, ku mes tyre, në kryevend, ishte dhe shkrimtari, publicisti e veprimtari i njohur Reshat Sahitaj – kryetar i Uninionit të Shkrimtarëve e Kritikëve Shqiptarë së bashku me zonjen e tij, Behare Rexhepi-Sahitaj.

Shtëpia e Kulturës (dykatëshe) e Shkolla fillore (njëkatëshe) në Vuthaj (kompleksi kulturor e arsimor i Vuthajve) dhe dy vuthjanët: akademik Rexhep Qosja e veprimtari Esad Gjonbalaj te salla e bibliotekës në shtëpinë e kulturës në Vuthaj.