Fluturo shqipe kah malet e mia,
Sharr e Korab, Shkëlzen e Pashtrik,
Poshtë janë fushat, kullat e kodrinat,
Janë lumenjtë, krojet, varret, janë shkëmbinjt.

Fluturo shqipe luginave të maleve,
Rudhë të gjitha nga dhimbja nëpër mote,
Thuaja veç një fjalë ujrave që rrjedhin,
Se kënga që trimat lanë shtigjeve, janë dhe kënga jote!

Fluturo shqipe mes lumenjve, zalleve,
N’hapin e ngadaltë të Drinit fërko ballin,
Thuaje se një herë mos e ndale hapin,
Mëso ninullat e djepit, e për luftë bëje gati djalin.

Në shkëmbinjtë e vendit tim ndalu pak,
Udhë e gjatë të pret dhe nesër shqipe dardanie,
Sa herë fluturo ti, ata frymë marrin,
Në gjithë lahutat e Kosovës biskojnë këngë lirie.

E pra, shqipe e maleve Beg Riza, djalë shqiptarie,
Cak më cak trojeve ta gjej fytyrën, nurin,
Në çdo mal e zall’ ta gjej hapin, ashtin,
Ku ka betejë e luftë e gjej trimin, e gjej burrin!

Fluturo shqipe, shiko hapsinën qiellin,
Syri yt s’ka hap, s’ka kufi, ka kaltërsi,
Fluturo trojeve Dibër, Shkup, Tetovë, Gostivar,
Fluturo mbi qiejt e lashtë Iliri!

Kështu vjen imazhi yt djali dardan,
Me krahët e erës, e sytë prej lirie,
Beg Riza, askush s’ta ndalon vrapin qiejve,
Në trojet e trimave në shtigje Iliride.

Ka gabuar hasmi jonë që thotë s’je më,
Ka gabuar vdekja që thotë se ty për vete të mori,
Ka gabuar lajmi që tha se ty të vranë,
Po thotë liria:-Beg Rizën e keni aty sa herë të doni!

Rajmonda Maleçka-Shkurt 2020