në qofsh fatthëna më thuaj
ta thur me thinja tharkun burg
therur ndjesish që s’i pashë kurrë

le të thonë pastaj thirravajet
se ky s’e njohu kërthinjën e gëzimit
kurthuar harrimit
e thithur dritësyrit të saj
me thërrmijat e të mbeturit gjallë

e më ther në brinjë në tëmth në thembër
thika jote femër
e më bën thnegël të tharë
thirrmë varur në thanë

fatthëna në qofsh më thuaj
se do të bëhem thjerrëz në Theth
të vdes mrekullie nga thumb i zekthit
duke u bërë thurimë e thoit tënd
e thashethemet le t’i endë
bota e thundrakëve pa zemër
aq më bën
__
28. III. 2013