Jam i plagosur
E shpirti i lodhur më është farmakosur
Jam i dërrmuar
I mllefosur brenda mureve të bardhë
Në karantinë jam izoluar
Nga kjo Pandemi si kuçedër, e zgjebosur,
Nga
Plagët e reja të atdheut që e kam larg.

Nga larg
Po më vjen era tradhëti, pabesi e gjak.
Një kaos
Që e sjellin vetë bijtë e tij
Atdheu im
i lënë pa urime për udhën e mbarë
I ngulfatur
nga hajnit që duan gjakun t’ia pijnë.

Nga bajlozë
Që të kujtojnë kohën e Mesjetës.
Nga ata
Që rrezojnë mure e bëjnë për të vetëm pazare.
Nga ata
Që duan t’ia vënë lumturisë shkopin e lesës
Nga ata
Që duan t’i hapin dyert orekseve sllave.

Si unë qajnë edhe të paharruarët dëshmorë.
Kur i gënjejmë në përvjetorë.

26 mars 2020