Vendimi i djeshëm pozitiv i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE -së për çeljen e negociatave është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë që Shqipëria duhet të përshkojë në rrugën e integrimit. Ai i radhës është konferenca e parë ndërqeveritare mbajtja e të cilës do të varet nga Gjermani e cila merr presidencën e BE në qershor. Në një intervistë për Tv Klan, ambasadori Luigji Soreca shpjegon të gjithë procesin teknik që pason PO e të martës.

“Dje këshilli i dha një mandat komisionit evropian, mandatin që ne e quajmë kuadri negociues. Kjo është struktura e negociatave që nis me konferencën ndërqeveritare e që do të vazhdojë për vite. Me anën e këtij kuadri negociues do të sqarohen të gjitha parimet dhe udhëzimet që do të jepen për punën që duhet të bëhet nga Shqipëria ku në qendër do të jenë padyshim 5 prioritete kyçe të vendosura më parë. Ky kuadër do të vendoset në tryezën e Këshillit Europian se bashku me progres-raportin vjetor e që ne shpresojmë që do të mbahet deri në qershor të këtij viti. Pasi të marr miratimin e këshillit ne shpresojmë qe presidenca gjermane qe nis gjysmën e dytë  këtij viti mund të vendos të thërras organizimin e konferencës qeveritare natyrisht, nëse disa kushte të caktuara të jenë plotësuar”.

Po kush janë këto kushte? Ambasadori thotë se nuk janë të reja, por pjesë e reformave të nisura, të cilat duhet të vijojnë.

“Reforma zgjedhore që duhet të miratohet në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHRIT. Po ashtu duhet të vijojë dhe reforma në drejtësi. Gjykata kushtetuese e plotësisht funksionale, gjykata e lartë plotësisht funksionale. Ka pasur ecuri për sa i përket gjykatës së lartë pas emërimit të 3 anëtarëve të parë nga presidenti. Po ashtu duhet të vazhdojë dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Për Soreca-n është i rëndësishëm në këtë moment është dhe bashkëpunimi i opozitës.

“Është shumë e rëndësishme që mos të humbet kohë dhe Shqipëria të bashkohet rreth këtij objektivi të përbashkët. Është e vërtetë që kjo është detyrë e qeverisë te hedh hapat e pare dhe ne kemi folur me qeverinë shqiptare për hartimin e një plani të strukturuar veprimi për muajt e ardhshëm . Sigurisht kërkohet të bëhet një punë shumë  e madhe që kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve qofshin këta institucional apo jo”.

Opozita do duhet të bashkëpunojë me maxhorancës për reformën zgjedhore në mënyrë që të gjitha kushtet të përmbushen sa më parë.