Kancelarja gjermane, Angela Merkel bisedoi të hënën me telefon me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, lidhur me përballjen me pandeminë e COVID-19 si dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë të përbashkët thuhet se ata “shkëmbyen pikëpamjet rreth marrëdhënieve të ngushta dypalëshe përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon. Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë”.

Gjatë bisedës u diskutua edhe për luftën ndaj koronavirusit dhe kancelarja premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize.

Në njoftim thuhet u diskutua edhe mbi bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të vendosura në vitin 2018, nga qeveria e atëhershme.

“Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës. Të dy besojnë se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Të dy ata, thuhet më tej, mbështesin rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi i këtij procesi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve”, thuhet në njoftim.