Ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, u bën thirrje udhëheqësve të Kosovës të përqendrohen në luftën kundër koronavirusit dhe jo në çështjet politike.

Në një komunikatë të përbashkët të ambasadave thuhet se “në këtë kohë të vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve institucional dhe politik që të përqendrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat Kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”.

“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.

Thirrja e ambasadave u bë në një kohë kur vendi është përfshitë në krizë politike dhe përplasje rreth vendimit të qeverisë për të kufizuar lëvizjet e qytetarëve. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim duke e cilësuar atë si jo kushtetues.