Nga Hysamedin FERRAJ

1. Në vitin 1981 kam ikur nga Kosova në Shqipëri, nga Isa Mustafa tek Enver Hoxha. Sepse Enver Hoxha përkrahte kërkesën time: Kosova Republikë! Sepse Isa Mustafa me policinë jugosllave më ndiqnin me pranga në brez për kërkesën time: Kosova Republikë!
2. Si student i ri, unë nuk kisha asnjë funksion të lart në regjimin e diktatorit Enver Hoxha. Si politikan i pjekur Isa Mustafa kishte funksion ta lart në regjimin e diktatorit Sllobodan Millosheviq.
3. Unë me Enver Hoxhën që denonconte krimet e policisë dhe të ushtrisë së Millosheviqit kundër shqiptarëve. Isa Mustafa me policinë dhe ushtrinë e Millosheviqit që terrorizonte shqiptarët.
4. Unë, ”enveristi” duke përshëndetur me grusht para një diktatori që mbështeste kërkesën e Kosovës për Republikë, “enveristi” i dikurshëm, Hashim Thaçi, duke përshëndetur para sloganit të diktatorit Sllobodan Millosheviq, që UÇK-në e quante terroriste dhe Kosovës ia hoqi autonominë.
5. Unë kundër Enver Hoxhës, që kur e pashë se mbrojtjen e Kosovës e kishte me hile. Ata të dy me zëdhënësin e Millosheviqit, që kur e panë se shkatërrimin e shtetit të Kosovës e ka seriozisht e pa hile.
6. Unë me Enver Hoxhën, që gabimisht e identifikoja me Shqipërinë, ata kundër Shqipërisë, që gabimisht (e ndoshta me ligësi) e identifikojnë me Enever Hoxhën.
7. Gjithsesi, unë me Shqipërinë pavarësisht regjimit, ata me Jugosllavinë e Serbinë pavarësisht regjimit.
8. Ata përherë me funksione të lart politikë, president e kryeministra shteti, unë përherë pa asnjë post shtetëror-politik. (Kot, sa për dijeni: nuk jam këshilltar i kryeminsitrit Kurti).
9. Jetë të tilla paralele ka shumë në Kosovë. Për shembull ,“enveristi” Adem Demçi në burgjet e jugosllavisë, millosheviqiani Sinan Hasani në krye të Jugosllavisë.
10. Por jeta ime nuk ka qenë kulluar paralele me jetët e Isa Mustafës e të Hashim Thaçit, sepse paralelet nuk takohen. Ndërsa jeta ime me Isa Mustafën është takuar kur të dy përkrahnim Rugovën, dhe me të Hashim Thaçit kur të dy përkrahnim luftën e armatosur të Kosovës.
11. Jetët tona u bënë sërish paralele kur të dy ata, në krye të pushtetit politik, nisën zhvatjen e pasurive kombëtare dhe zhveshjen e shtetësisë së Kosovës. Ndërsa unë pa asnjë post politik megjithatë vazhdova e do të vazhdoj në mbrojtje të pasurive kombëtare dhe të forcimit të shtetësisë së Kosovës.
Paralelizmi mbetet në vijim. Fotot e videot e publikuara në rrjetet sociale veç e ilustrojnë këtë ndarje të madhe jetësh paralele në të shkuarën, dhe i paralajmërojnë në të ardhmen.
12. Sidoqoftë, po të vendosen në termat e së shkuarës, konfliktet e sotëm nuk janë ndërmjet “enveristëve” dhe “titistëve”, por ndërmjet nacionalizmit shqiptar të mbrojtur nga unë, dhe nacionalizmit serb të përfaqësuar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Kur është fjala për Kosovën, qëndrimi jashtë këtyre dy nacionalizmave është i pamundur.