Kosova, rajoni, dhe mbarë bot apo përballen me një krizë të paparë në luftën kundër koronavirusit.
Vendet, si ato në Ballkan, që kanë mungesa mjetesh e kushtesh në krahasim me vende të mëdha e shumë të industrializuara, kanë më tepër arsye të druhen nga skenare të papërballueshme.
E kam të vështirë ta besoj se në këto rrethana, disa udhëheqës politikë në Kosovë po bëjnë përpjekje për të rrëzuar qeverinë aktuale, e cila ka vetëm pak javë në pushtet.
Në çfarë bote jetojnë këta njerëz? Momenti është i tillë që duhet bashkëpunuar me qeverinë për të vendosur e zbatuar masa e politika që mund të shpëtojnë jetë njerëzish dhe të shmangin rrënimin e ekonomisë. Në vend të luftës së brendshme pakuptim, partnerët e koalicionit duhet të dëshmojnë durim dhe të unojnë së bashku e të flasin e të veprojnë si një trup i vetëm. Në një kohë si këto, ata kanë vetëm një detyrë: të mbrojnë popullin e Kosovës përpara se të jetë shum vonë.
Taksa e heqjes së tarifës antiserbe e humbi tani urgjencën. Kufijtë po mbyllen, fluturimet po anullohen. Vetë Presidenti i Serbisë e ka kthyer vëmendjen te kriza e koronavirusit në vendin e tij. Ka edhe zgjedhjet përpara. Nuk do të ketë dialog në një kohë si kjo dhe as nuk ka kush ta ndërmjetësojë. SHBA dhe BE i kanë duart e zëna me luftën kundër koronavirusit. Ky është prioritet absolut dhe çdo projekt e debat tjetër përfshi edhe bisedimet Kosovë-Serbi është shtyrë për një kohë tjetër.
Edhe Kosova duhet të përqendrohet te ky problem kryesor që ka përpara. Vendi ka qenë me fat se numri i rasteve ka qenë i ulët, pot ë gjitha masat duhen marrë që kjo të mos ndryshojë.
Ndryshe nga bisedimet me Serbinë, lufta kundër koronavirusit nuk mund të shtyhet për një datë tjetër. Ajo tashmë ka filluar dhe po vijon dita-ditës. Le të fitojmë këtë betejë së pari. Le të shpëtojmë njerëzit tanë. Do të ketë plot kohë pastaj për të zgjidhur konfliktet politike.

 

(Nga “Illyria Press”. Amerike).