NATO thotë se do të pakësojë numrin e trupave në Afganistan nëse Talibanët do të tregojnë se janë të gatshëm e të aftë t’i japin fund dhunës në vend. Vendimi pason një marrëveshje të arritur këtë javë mes Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve këtë javë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri komentet gjatë punimeve të konferencës së Mynihut mbi Sigurinë, ku udhëheqësit botërorë janë mbledhur për të diskutuar kërcënimet e shumta me të cilat përballet sot bota, nga konfliktet deri tek shpërthimi i koronavirusit. Korrepondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga konferenca.
Udhëheqësit botërorë dhe ata ushtarakë diskutuan në Mynih për një sërë çështjesh globale të cilave u duhet dhënë zgjidhje, nga konfliktet rajonalë në Lindjen e Mesme tek rritjen e konkurencës mes SHBA-së dhe Kinës.
Ndërkohë, një marrëveshje armëpushimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve u mirëprit nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
“NATO aktualisht ka rreth 16,000 trupa në Afganistan dhe ne jemi të gatshëm ta pakësojmë numrin e tyre nëse Talibanët janë në gjendje të demonstrojnë vullnetin dhe aftësinë reale për të ulur dhunën dhe nëse ne shohim një shteg drejt paqes”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-S, Jens Stoltenberg.
Në prapaskenën e Konferencës së Mynihut u shënua një përparim diplomatik. Serbia dhe Kosova, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara, nënshkruan një marrëveshje për rihapjen e linjave hekurudhore dhe autostradave, pas një mbylljeje 20-vjeçare.
Përplasja më e madhe e konferencës ka të ngjarë të ndodh sot (të Shtunën), kur përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Irani do të jenë brenda të njëjtave mjedise, vetëm disa javë pasi Shtetet e Bashkuara vranë gjeneralin iranian Qassem Soleimani.
“Mendoj se iranianët e kanë kuptuar se ky president (i Shteteve të Bashkuara) është i gatshëm të shkojë më larg. Vrasja e Soleimanit duhet të ketë qenë një thirrje për rizgjim për ta. Ai është i gatshëm t’i sfidojë ata në rajon. Mendoj se të dyja palët e kuptojnë se potenciali për konflikt ekziston. Dhe ndoshta kjo është ajo që nevojitet për rifillimin e një procesi diplomatik për këtë çështje”, thotë eksperti i politikave ndërkombëtare në Universitetin e St. Gallenit, James Davis.
Fjalimet e përfaqësuesve të të dyja vendeve do të ndiqen nga afër për çdo sinjal ndryshimi në qëndrime.
Në konferencën e këtij viti në Mynih ekziston një klimë e pashmangshme ankthi, që lidhet me frikën e prishjes së rendit liberal perëndimor si dhe të aleancave që e kanë mbajtur atë. Optimistët thonë se bota sot mund të jetë e rrezikshme, por të paktën dialogu vazhdon.