Nëse shqiptarëve në Maqedoni u thuhet e vërteta e mashtrimit politik të tyre për tri dekada me radhë, që nesër mund të fillojë luftë qytetare dhe vëllavrasëse mes tyre, të shpërthejë kaos i përgjithshëm dhe shkatërrim, siç do të dëshironin armiqtë tanë historik.

Shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës të denjë, autoritete të pakomprometuar, për forca politike dhe intelektuale përbashkuese dhe jo përçarëse, që të keqen ta zvogëlojnë dhe ta rritin të mirën, ta shtojnë mbarësinë dhe progresin, ta bëjnë çdo shqiptar të ndjehet krenar në atdheun e tij, jo të largohet si i përvëluar nga vendlindja, për shkak të politikave të gabuara, për mungesë të perspektivës; mungesë të punës, bukës dhe ekzistencës; mungesë të rehatisë dhe sigurisë personale, familjare e kombëtare.

Çka duhet të presin shqiptarët në Maqedoni se mund t’u sjellin zgjedhjet e reja parlamentare të 12 prillit, me aktorë të njëjtë. Askund në botë nuk bëhet dasmë e re për nuse të vjetra.

Mos ndryshimi i Kodit zgjedhor, sidomos mosaplikimi i modelit të votimit me lista të hapura, edhe më tej do t’i mbajë në pushtet ata që e kanë sjellë këtë gjendje të rëndë për shqiptarët dhe qytetarët tjerë në këtë shtet.

Ka kohë që flamuri i shpresës së shqiptarëve në Maqedoni është ulur në gjysmështizë.

Është koha për rikthimin e krenarisë dhe dinjitetit kombëtar të shqiptarëve, jo me antena të ngrehura nga Moska e Teherani, por nga qytetërimi evropian, për interesat e mbrojtura të shqiptarëve nga SHBA!

(19 janar 2020)

Please follow and like us: