Sot është 28 Nëntori, data e shenjtë kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë Etnike dhe u vulos në histori, si festë e të gjithë shqiptarëve, kudo në trojet e tyre autoktone.

Ndaj veçanërisht nga viti 1912 e këtej, më çdo 28 Nëntor, Ditën e ndritshme të ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, gëzimi është një dhe i përbashkët për të gjithë shqiptarët, ngado jetojnë ata.

Kështu që me gjithë ngjarjet tragjike që shkaktoi tërmeti tragjik në shtetin amë-Shqipëri, në shenj respekti, bashkëkombësit kudo dhe pa dallim, me pietet e respektin më të lart, përulen me shumë nderim dhe kujtojnë më të bashkuar se asnjëherë më par, të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin dhe mëvetësinë e trojeve të atdheut tonë.

Ndaj, veçanërisht në këto çaste dhe rastin e kësaj e dite të pa harruar historike, ne ndjehemi më borxhli se asnjëherë tjetër që t’i bashkojmë të gjitha forcat dhe mundësitë për realizimin dhe çuarjen deri në fund të porosisë së shenjtë të atdhetarëve më të denjë të popullit shqiptar, për lirinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona etnike.

Përpjekjet për përmbushjen e ëndrrës së kamotshme të heronjve dhe amanetit të tyre kombëtar, nga të gjithë shqiptarët kudo, duhet të ecin e qohen përpara dhe të mos njohin më, ndalje as devijim, deri në realizimin e plotë të tyre.

Data e shenjtë e 28 nëntorit, është dhe mbetet festim i përjetshëm historik për të gjithë shqiptarët kudo jetojnë ata, përçuar me kujtimet më të mira ndaj të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e atdheut ani pse ende e pa përjetësuar në të gjitha tokat tona autoktone.

Kjo datë është festa më e shenjtëruar, sidomos për mërgimtarët, që jetojnë gjithmonë me mallin e pa shuar për vendin, tek të cilët  pa asnjë dyshim, ngjallë emocione të veçanta dhe më të mëdha se vet lartësitë e pakapshme të alpeve mijëravjeçare të vendlindjes.

Gëzimi dhe hareja me rastin e kësaj dite, arrijnë kulmin festiv kudo, në atdhe e diasporë dhe gjithandej ku jetojnë e punojnë shqiptarët.

Vetëm mërgimtarët duke qenë të shumtën e kohës, larg vendit, këtë përjetim të veçantë, përherë e ndjenë dhe manifestojnë edhe me shprehje dhembjeje duke e kujtuar, ndryshe nga të tjerët, me shpirt dhe zemër të vuajtur secilën ditë, orë dhe minutë, mungesën e Atdheut, nga distancat mijëra kilometërshe ku ata jetojnë e punojnë për të mbajtur familjet dhe ndihmuar vendlindjen. 

Ndaj nuk duhet harruar edhe me këtë datë gëzimi të përgjithshëm popullor që është i natyrshëm për të gjithë ne, se mërgimtarët shqiptar ishin ata të cilët ditën ta nderojnë dhe duan gjithmonë pa fund dhe pa asnjë hile-atdheun e tyre, edhe pse nga përndjekjet e pushtuesve shekullor, e më vonë të detyruar edhe prej gjendjes së rëndë ekonomike, u detyruan të jetojnë larg tij dhe vendosen jashtë vendit. 

Ata ishin dhe mbetën gjithmonë në shërbim të vendit dhe përherë të përkushtuar për lirinë e popullit të vet, duke ndihmuar me gjithçka mundën e arritën edhe për përmirësimin e  jetës së familjeve dhe bashkëkombësve në vendlindje. 

Mërgimtarët herët e vonë dhe në mënyrë të pareshtur, luftuan edhe okupatorët e vendit me të gjitha mjetet dhe mundësit që patën, në të gjitha kohët dhe nga të gjitha shtetet e huaja ku ata qëndronin, duke ruajtur e forcuar në çfarëdo gjendje dhe rrethane ndjenjat atdhetare dhe krijuar edhe sisteme të veçanta shkollore për mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe, si dhe të traditës dhe historisë tonë kombëtare, duke ngritur çdo herë lart e më lar vetëm Flamurin Kombëtar, gjithandej ku jetojnë e punojnë shqiptarët. 

Si përfaqësues të denjë të kombit që i takonin, veçanërisht gjatë kohës nën okupimin serbosllav, shqiptarët e mërguar, u përpoqën dhe angazhuan me të gjitha mundësit, forcën dhe dijen e tyre, ofruan krejt mjetet materiale që patën, mundin dhe djersën, e deri te pjesëmarrja fizike në luftërat çlirimtare duke vënë në dispozicion edhe jetën personale për lirinë e të gjitha trojeve të pushtuara të atdheut. 

Ata që nga Rilindja Kombëtare, kundërshtuan më fuqishëm se gjithë të tjerët, okupimin dhe vendimet e padrejta ndaj popullit shqiptar, lobuan për Pavarësinë e vendit të tyre në të gjitha shtetet e huaja ku jetonin e vepronin, në Evropë e Amerikë dhe Botën kudo, organizuan demonstrata e protesta kundër pushtimit të atdheut, dhe morën pjesë aktive në kryengritjen çlirimtare, e cila çoi në çlirimin e vendit dhe shpalljen e pavarësisë së ëndërruar kombëtare e shtetërore të të dy shteteve tona aktuale. 

Mërgimtarët u bënë shembull i shkrimit të një historie më sublime kombëtare. Madje vendosmëria, sakrificat dhe këmbëngulja e rilindësve tanë qoi vendin deri te ngritja e Flamurit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë edhe pse veprimtaria e tyre atëbotë ishte e vështir dhe e rrezikshme e që në momentet më vendimtare kërkonte guxim të fortë njerëzor dhe frymëzim të lartë patriotik, të  cilat ata i patën dhe i dëshmuan në vepër, duke mos kursyer veten dhe flijuar edhe jetën e tyre. 

Meritë e madhe e udhëheqësve të kombit, ishte edhe vendimi i tyre historik për të cilin ndikuan edhe mërgimtarët e kohës, sidomos në përcaktimin properëndimor të popullit i cili atëbotë kishte nevojë për përkrahjen e pavarësisë së Shqipërisë nga vendet e Evropës dhe Botës së përparuar perëndimore. 

Shpallja e Pavarësisë ishte dhe mbetet kulmi i kurorëzimit të shpresës madhore të të gjithë bashkëkombësve kudo për të cilën shumë breza atdhetarësh kanë sakrifikuar krejt çka patën. 

Por,me gjithë Pavarësinë e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, shqiptarët ende nuk kanë arritur lirinë e plotë kombëtare, ndaj edhe vuajtjet e pjesëve të pushtuara të kombit, si në Çamëri, Kosovën Lindore, Iliridë e Mal të Zi, nuk kanë pushuar ende tërësisht.

Edhe mbi 8 milion shqiptar, sa thuhet që momentalisht jetojnë në Turqi, nuk kanë asnjë të drejtë elementare, kulturore as kombëtare, pa asnjë shkollë të vetme të hapur fillore për ta edhe në shekullin XXI.

Nga ky shkak edhe në raste festash ne ato i përjetojmë me dhembje,sikurse që për të arriturat i kujtojmë me pietet të lartë, ata që janë përpjekur dhe kanë rënë, për këtë ditë e cila na solli një liri ende të pa kompletuar -kombëtare, me gjithë lindjen e dy shteteve, në të cilat megjithatë nuk përfshihen të gjitha trojet tona. 

Mosgatishmëria e Evropës dhe Faktorit ndërkombëtar për pranimin e të drejtës sonë për bashkim edhe në qindvjetorin e dytë të shpalljes së pavarësisë së të gjitha trojeve shqiptare, sado që është shumë e hidhur, për fat të keq ajo është fort e lidhur edhe me sjelljet totalisht të papërgjegjësi të udhëheqësve të inkriminuar politik shqiptar.

Shto kësaj edhe egon tonë të ngushtë, e që të dyja bashkë paraqesin një imazh shumë të keq, para qytetërimeve të përparuara të botës, dhe kjo jo vetëm që nuk i bën mirë as nder popullit shqiptar, por e pengon edhe bashkimin e tij. 

Me sjellje të tilla ne nuk mund ta bindim botën që të respektoj vullnetin tonë dhe të drejtën historike të popullit shqiptar,për bashkim kombëtar.

Ndaj, edhe pse me rastin e Festës së 28 Nëntorit në Shqipëri dhe Kosovë valëviten flamuj kombëtar me shqiponjën dykrenore dhe vendosen lartë parulla gjigante në të cilat shkruan: “J E M I – N J Ë”!,-ndarjen e shqiptarëve nuk arrijnë ta shërojnë vetëm fjalimet euforike të politikbërësve të kriminalizuar të vendit, ditëfestave tona historike, as shprehjet e gjetura se ne festuakam ditën e pavarësisë dhe të çlirimit më mirë se kurrë më parë! 

Ne as me rastin e fetave si kjo, nuk duhet harruar se me gjithë  Shqipërinë e lirë dhe Kosovën e pavarur, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO etj, edhe sot e kësaj dite, kemi pjesë të mëdha të trojeve tona, ku emra fshatrash e qytetesh shqiptare, si Mitrovica, Ulqini, Tuzi, Tivari, Bujanoci Presheva, Medvegja, Janina, Arta e Preveza dhe shumë vendbanime të mëdha e të vogla gjithandej, ende nuk mund të festohet lirisht 28 Nëntori. 

Ndaj, duhet detyrimisht të pajtohemi me faktin se vërtet JEMI NJË KOMB!, por është fakt se ende nuk jemi bashkë dhe as të gjithë të lirë! 

Gjendja jonë kombëtare edhe në qindvjeçarin e dytë të Pavarësisë me gjithë dëshirat tona të mëdha festive,edhe në shekullin XXI, i vë shqiptarët në pozitë të vështirë dhe ua kujton kohën e hidhur të okupimit dhe të ndarjes, ende të pa korrigjuar tërësisht. 

Kështu që sidomos në ditë me peshë si kjo, ne medoemos duhet ta dimë dhe të brengosemi seriozisht për gjendjen e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve tanë shtetëror dhe mosbashkimin e trojeve tona ngase ndarja e tyre, pengon formimin dhe zhvillimin shpirtëror, intelektual dhe kombëtar të njësuar të shqiptarëve kudo, që ka për pasojë edhe ecjen tonë të vonuar si komb drejtë Evropës së bashkuar. 

Përpjekjet shekullore dhe gjaku i derdhur për liri edhe pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe çlirimit të Kosovës,nuk i përmbushën plotësisht aspiratat e popullit të shumëvuajtur shqiptar për të cilat ai u sakrifikua dhe shekuj me radhë, bëri luftëra çlirimtare. 

Ëndrra e tij e shenjtë, për bashkim, deri më sot ende nuk u bë realitet, ndaj duhen përpjekje të reja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve të robëruar dhe për të shpëtuar përfundimisht, shpërfytyrimin e vazhdueshëm kombëtar të pjesëve të pa çliruara të vendit. 

Flamuri Kuq e Zi, në të gjitha kohët ishte dhe duhet të mbetet përjetësisht, frymëzim shpirtëror dhe patriotik i të gjithë shqiptarëve atdhetar, kudo në trojet e tyre etnike dhe diasporë, i cili si gjithmonë, përherë ishte në shërbim të lirisë dhe çlirimit të atdheut tonë të ndarë padrejtësisht. 

Ky simbol gjithëshqiptar edhe në momentet më të vështira, qëndroi gjithmonë në ballë të çdo nisme, që nga fillimi i luftës për liri e deri te shpallja e Shqipërisë të lirë, Pavarësinë e së cilës e vulosi po ky Flamuri i kombit! 

Ndaj, ashtu si më çdo 28 Nëntor dhe përvjetorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, edhe kësaj radhe, me kënaqësi dhe gëzim të veçantë, shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta, për të gjithë shqiptarët në atdhe, në diasporë dhe kudo gjenden ata.

 Gëzuar 28 Nëntorin, Datën historike të ngritjes së Flamurit të Skënderbeut dhe Ditën e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke uruar nga zemra, që sa më parë të realizohet liria e bashkimi i të gjitha trojeve tona etnike dhe përfundimisht të jetësohet Shqipëria Natyrale, ku përjetësisht do të festonin shqiptarët e bashkuar!

Gani Qarri