Zv/ kryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli ka njoftuar se vë në dispozicion të Shqipërisë 1 milion euro, në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, për rindërtimin e banesave.

Në një postim në Facebook, Pacolli shkruan se po ashtu, në mënyrë të organizuar, pret edhe qindra familje në Kosovë.

“Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet”, shprehet ai ndër të tjera.

“Unë u trondita kur pashë dëmet në jetën e njeriut dhe në infrastrukturë që tërmeti shkatërrues po lë pas në Shqipëri.

Kjo kërkon solidaritet dhe mbështetje për të siguruar që qytetarët e prekur mund të kthehen shpejt në jetën normale.

Kemi vendosur së bashku me familjen time (ne djemtë e Isa dhe Ruhan Pacollit) që të dhurojmë #1milion Euro për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti.

Ky donacion do të shkojë në funksion të rindërtimit dhe bashkë me Qeverinë e Shqipërisë do të menaxhohet në mënyrë transparente dhe të sigurt.

Kjo është më e pakta që unë dhe familja ime mund të bëjmë për Shqipërinë tonë të dashur.

Mbështetja ime për vëllazerit tonë do të jetë e vazhdueshme dhe shpresoj së shpejti ata të kthehen në normalitet.

Unë pres po ashtu që në menyrë të organizuar të pranoj edhe qindra familje këtu në Prishtinë”.