POETI NUK SHTJERRET DERI MINUTЁN E FUNDIT TЁ JETЁS

 Intervistë e Din Mehmetit dhënë gazetares Migena Arllati 10 vjet më parë

 “Plejada e poetëve të vjetër të letërsisë shqipe ngadalë po shuhet, disa nga poetët vdiqën, ne të tjerët jemi në moshë të thyer, por poezia mbetet, ajo jeton tek të tjerët”, shprehet Din Mehmeti në intervistën e tij të fundit

MIGENA ARLLATI

Me plot tetëdhjetë vjet jetë mbi shpinë, poeti Din Mehmeti thotë se vitet nuk e shtrydhin poetin, se poeti edhe shtjerret por deri minutën e fundit ai e ka kokën plot ide por jo edhe mundësi për t’i realizuar ato.

I ardhur në Gjakovë nga Gjocaj i Junikut që në vitin 1945, Mehmeti botoi poezinë e parë në vitin 1949, kur ishte njëzet vjeç. Ishte poezia ‘Të resë sonë’, e botuar në numrin dy të revistës ‘Jeta e Re’, por nga rruga e poezisë ai nuk do të ndahej gjatë gjithë jetës.

Pas studimeve për albanologji në Beograd, kthehet në Kosovë, fillimisht si gazetar. Në vitin 1961 boton përmbledhjen e parë “Në krahët e shkrepave”, pas së cilës erdhën varg edhe 17 vepra të tjera, të cilat rregjistruan sfidat e jetës së tij, pikëpamjet për botën dhe njerëzit për një kohë të caktuar.

Ai ka marrë vlerësime dhe kritika nga Mekuli, Qosja, Raifi, Qapriçi, Kraja, Arapi si dhe disa kritikë të huaj të cilët e cilësojnë si poet të ndjenjave dhe mendimeve të thella, që ka shprehur qëndresën e popullit shqiptar nëpër kohëra. Halil Haxhosaj ka përmbledhur në një libër thëniet e të tjerëve për poetin Mehmeti, si dhe krijimet kushtuar atij nga rreth 50 poetë të njohur shqiptar. Poezitë e tij janë të përkthyera në një libër të veçantë në frëngjisht, por gjithashtu është i përfaqësuar në të gjitha Antologjitë e poezisë shqipe në gjuhë të shumta evropiane si anglisht, italisht, gjermanisht, polonisht, arabisht, serbisht etj.

  1. Arllati: Si ju duket letërsia shqiptare sot? A ka ardhur ajo duke u rritur apo në zvetnitje e sipër?

Din Mehmeti: Unë mendoj se poezia shqipe është ende gjallë, ende është vitale, komunikuese me popullin për të cilin shkuhet por edhe për botën. Kam përshtypjen se poezia e Agollit, Arapit, Spahiut, Mekulit, Shkrelit, Podrimes etj, e asaj plejade të vjetër në Shqipëri dhe në Kosovë, përbën një kult të poezisë shqiptare. Kjo plejadë poetësh, pa u ndikuar nga njëri-tjetri, kanë sjellë vlera të patjetërsueshme të poezisë, që nuk i kemi pasur më përpara. Tashmë shohim një stil të ri modern. Një shikim i ri shihet në poezi, me një filozofi dhe mesazh që e ka bërë poezinë shqipe moderne, të dinjitetshme, dhe të përballueshme me vlerat poetike të botës. Nuk është modeste ta them, por në këtë plejadë hyj edhe unë. Tashmë kjo plejadë po shuhet, disa nga poetët vdiqën, ne të tjerët jemi në moshë të thyer, por poezia mbetet. Ajo jeton tek të tjerët. Sot kemi poetë të tjerë të kohës, të cilët po bëjnë përpjekje të mos e përsërisin atë të shkruarën por të sjellin një figuracion e një stil të ri, me pikëpamje të reja më bashkëkohore të shoqërisë sonë, një poezi disi më individualiste, më personale, që karakterizohet me ambicien e poetëve për të shpehur ndjenjta e veta. Pra është një plejadë e re që po rritet por kam përshtypjen se mes tyre ka shumë jopoetë, se po punohet pa kriter, nuk ka redakturë, nuk ka kritikë të dinjitetshme por klanore, nuk dihet se cila është vlera. Shohim se jovlera rri mbi vlerën dhe krijohet një konfuzion sepse ka shumë njerëz që duan të bëhen poetë me zor, duke paguar poetë të tjerë ose kritikë që t’ia bëjnë punimet. Letërsia ‘nuk do gogla’, do mendime, ndjenja të forta. Por koha është ajo që i përtyp antivlerat, i seleksionin vlerat dhe ndal vetëm ato që i duhen.

  1. Arllati: A mundet një poet i mirë të jetë edhe prozator i mirë?

Din Mehmeti: Unë kam shkruar disa tregime dhe një dramë, por poeti i mirë them se mund të jetë edhe prozator i mirë. Poeti i mirë është gjithashtu kritiku më i mirë i letërsisë, më i mirë se kritiku i letërsisë sepse ai i din labirintet e vjershës, si realizohet forma, përmbajtja. Kritikët dijnë të jenë edhe demagogë por poeti i mirë nuk është demagog. Por poeti nuk mund ta përshkruajë vjershën e vet, poeti mundet gjithçka të thotë por vjershën e vet nuk mundet ta analizojë. Poeti vjershën e vet mund vetëm ta lexojë, pra ai bëhet lexues i saj, por në momentin që vjersha përfundohet, ajo pavarësohet nga autori dhe merr jetë nëpërmjet mendimeve të lexuesve. Kjo ngase poezia e letërsia, si art i gjuhës, pavarësisht mendimeve të të tjerëve, mbetet dhuratë ndaj të tjerëve.

  1. Arllati: Sapo u botua kompleti i veprave tuaja në pesë vëllime. A ju erdhi mirë për këtë?

Din Mehmeti: U gëzova shumë që pata fatin ta shoh të botuar kompletin e veprave të mia. Kjo inisiativë ka rrjedhë prej lexuesve dhe prej disa miqve të mi kritikë. Sipas tyre, poezia ime supozohet se është poezia më e lexuar në Kosovë, e recituar shumë prej nxënësve të shkollave të mesme, se ende e kërkon lexuesi, ende është e bukur nga ana figurative. Botimin e mbështeti Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e kulturës në Gjakovë. Zakonisht kompletet botohen pas vdekjes së autorit ndërsa për mua ishte paksa e veçantë sepse kjo mrekulli ndodhi ndërsa jam gjallë.

  1. Arllati: Sivjet ishte tetëdhjetë vjetori i jetës suaj. A keni ende për t’i dhënë poezisë?

Din Mehmeti: Poezia është dhimbje, është gjendje, ajo lind nga pakënaqësitë e poetit ndaj vetes apo ndaj botës. Unë tani shkruaj më rrallë sepse kam telashe shëndetësore, si dhe aspak përkrahje nga institucionet. Poezia ime tani është meditative, nuk jam më ai euforiku por i qetë, flas më pak por meditoj shumë. Kënaqem kur i shoh shënimet e mia në fletore, të cilat më bëjnë që të bluaj mendime. Poezitë që kam shkruar vite më parë, sot më duken gati si të huaja. Ato tani komunikojnë me të tjerët, nëse poezia ime i kënaq të tjerët më bën nder mua. Një gjë e di me siguri, se jeta nuk më ka shkuar kot, nuk kam lejuar që jeta ime të jetë pa asnjë fryt, por kam mbjellë diçka dhe ajo që kam mbjell tani e ka qit tufën. Këtyre ditëve po mundohem t’i realizoj disa ide, disa mendime të mëhershme t’i kthej në poezi. Po pres të gjej formën e tyre, sepse po s’iu gjet forma, përmbajtja s’mund të japë rezultat. Forma është shkëlqimi i përmbajtjes, ose transmetimi i saj. Besoj se vitin e ardhshëm do ta botoj edhe një libër me poezi, krejt janë të natyrës meditative.

  1. Arllati: Si jeton sot një emër i madh i letërsisë kosovare si Din Mehmeti?

Din Mehmeti: Jetoj me një shumë simbolike financiare që e marr nga pensioni, do të thosha në mënyrë të mjerë. Më ndihmojnë ndonjëherë disa miq e njerëz që e duan poezinë time, e kështu megjithatë vazhdoj të qëndroj në këmbë. Ndonjëherë mendoj të bëj ndonjë marri me vetveten, diçka të palogjikshme, që t’i tregoj këtij spektrit tonë politik se është e padrejtë që sot të lihen në gjendje të mjerë plejada e njerëzve që e kanë krijuar Kosovën, shkollat e larta, bazat themelore të kulkturës, arsimit e shkencës. Ne nuk e meritojmë këtë ‘dhuratë’ të politikës kosovare, pa pasur as të ardhme financiare ekzistenciale. Ndaj politika kosovare le të kënaqet me lukset e veta, me ato limuzina dhe rroga katër shifrore, ndërsa ne mbetemi me 80 euro që përafërsisht as për barna nuk mjaftojnë. Politikës sonë i mundon kultura. Politika pa kulturë është si një gyp i thatë, në të cilin nuk shkon ujë. Politika jonë është një demagogji e tmerrshme ndaj duhet të urtësohet dhe të shohë se sa të mjerë na ka lënë.

_________

Copyright©Migena Arllati

20 dhjetor 2009