Sheshi i njohur i Shën Markut në Venecia u mbyll të dielën për shkak të përmbytjeve të mëdha që po vazhdojnë të prekin qytetin italian.

Niveli i ujit në Venecia arriti në 1.5 metra të dielën, pak më i ulët se niveli i regjistruar të martën prej 1.87 metrash që u bë shkak për përmbytjet më të rënda që ka përjetuar qyteti në pesëdhjetë vjet.

Në një postim në twitter të dielën kryetari i Bashkisë së Venecias Luigi Brugnaro shkruante se niveli i ujit është ulur, por sipas tij dëmet e shkaktuara kapin shifrën e mbi 1 miliard dollarëve.

Qyteti i famshëm për labirintet e kanaleve ujore përjeton shpesh përmbytje të mëdha nga baticat kryesisht në dimër kur erërat e forta nxisin prurjet e ujit nga veriu i detit Adriatik.

Kryebashkiaku ka fajësuar lidhur me situatën gjithnjë e më të rëndë, ndryshimet klimatike. Ai dhe zyrtarë të tjerë kanë bërë thirrje për përfundimin sa më parë të një projekti të zvarritur prek kohësh, që lidhet me ndërtimin e pengesave në det të hapur.

Sistemi i mbrojtjes nga përmbytjet (MOSE), është vonuar për shkak të tejkalimit të kostove të ndërtimit si dhe skandaleve të korrupsionit.

Qytete të tjera në të gjithë vendin përfshirë Pizën dhe Firencën kanë përjetuar gjithashtu përmbytje gjatë këtyre ditëve.