Serbia po e ndjek me zgjuarsi situatën në rajon duke luajtur në shumë plane. Ajo po luan me të njëjtat objektiva si Milloshi por me mjete te tjera dhe me fytyrë të makiazhuar me kujdes. Përgjërohet për nevojën e negociatave me Kosovën por punon pa reshtur për dështimin e shtetit te Kosovës. Flet për zgjidhje gjithëpërfshirëse të balancuar të konfliktit me Kosovën. Ndërkohe lancon me spikamë kudo dhe në çdo rast që palët duhet të fitojnë dhe humbin diçka duke marrë mjaftueshëm.

Me 26 shtator 2019 Aleksandër Vuçiçi, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, theksoi se “Zgjidhja për Kosovën është që asnjëra palë të mos fitojë gjithçka por të merr mjaftueshëm”. Taktikë e cila synon që nëpërmjet marrëveshjes me garanci ndërkombëtare të finalizohet objektivi i saj strategjik: Bërja hisedare e Serbisë në territorin(tokën) e Republikës së Kosovës.

Njëhershmi mban aktive struktura paralele politike brenda shtetit të Kosovës të cilat në të gjithë veprimtarinë e tyre politike e ligjore publikisht dëshmohen se zbatojnë direktivat e Beogradit.

Bën presion të shumëfishtë mbi komunitetin ndërkombëtar të përfshirë në procesin e negociatave serbo-kosovare duke i trembur me stabilitetin e rajonit.

Në kuadër të këtij presioni po përdor modernizimin e fuqisë ushtarake duke u afishuar veten si fuqia e vetme ushtarake nacionale potenciale në Ballkanin perëndimor.

Përveç instalimit të bazës ushtarake në NISH dhe mbështetjes me donacione ruse në fushën e armatimit e pajisjeve ushtarake ajo po realizon plane ambicioze në fuqizimin e Forcave Ajrore sulmuese. Ketë vit ajo ka lidhur kontrata me vlera të mëdha financiare me Rusinë, Francën dhe Kinën në fushën e mbrojtjes. Së fundmi, ka siguruar skuadrilje me dron sulmues duke u kthyer në provokatore e shteteve të rajonit dhe të vetë NATO-s. Serbia ka blerë në Kinë porosinë e parë të 9 dronëve të armatosur apo të avionëve luftarakë pa pilot dhe pas kësaj do të blejë edhe 15 avionë të tjerë luftarakë pa pilot. Gjithashtu ka deklaruar se ka marrëveshje për të transferuar teknologji kineze për prodhimin e tyre ne Serbi.

Në rrafshin ekonomik përveç fondeve të mëdha të marra nga BE (krahasuar me vendet e rajonit) ka angazhuar edhe vende të fuqishme jashtë komunitetit evropian siç janë Kina dhe Turqia. Ka lajmëruar se me 25 tetor do të behet anëtare e komunitetit aziatik të biznesit ku Rusia ka rol dominues.

Në rrafshin politik pasi dështoi në Sarajevë dhe Firence, ka riaktivizuar ëndrrën e kahmotshme serbe të maskuar me ëndrrën evropiane per të realizuar kontrollin e rajonit nëpërmjet krijimit të Bashkimit Ekonomik të Ballkanit Perëndimor (hapi i parë shengeni ballkanik) me tre qëllime kryesore:

E para, të shfrytëzojë si shansin e vetëm për të dominuar mbi hapësirat e rajonit politikisht dhe ekonomikisht duke tentuar ta strukturojë një lloj Jugosllavie të vogël.

E dyta, të shitet në tregun e politikës euro atlantike si lider i paqes dhe stabilitetit në rajon. Ose më saktë të marrë rol kyç në proceset ballkanike duke mbajtur çelësat e stabilitetit dhe destabilizimit të rajonit.
E treta, të transferojë nëpërmjet ndërmarrjeve të përbashkëta me Rusinë dhe Kinën teknologjinë dhe investimet ruso – kineze duke shërbyer si avangardë për të shtrirë edhe interesat tyre gjeopolitike në rajon.
Në planin diplomatik vazhdon të lobojë fuqishëm dhe jo pa sukses në heqjen e njohjeve dhe pengimin e anëtarësimi të shtetit të Kosovës në organizmat ndërkombëtare (UNESKO- INTERPOL) si dhe pengimin njohjeve të reja.

Në raport me shtetin e Kosovës ka mundur të krijojë brenda tij formacione politike paralele siç është grupimi politik SERBSKA të cilën e mbështet dhe e financon hapur me mjete financiare shtetërore.

Shihni: Duke shkel çdo normë e rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe ligjet brenda shtetërore të çdo lloj shteti, Presidenti serb Vuçiç ndërhyn brutalisht në zgjedhjet në Kosovë. Ditën e heshtjes zgjedhore e thërret në Beograd lidershipin listës e serbe (SERBESKA) dhe ne konferencë shtypi publike shantazhon serbët e Kosovës duke i orientuar të votojnë ketë formacion politik të krijuar si organizëm politik paralel në territorin e Kosovës. Pasi lexon në shqip togëfjalshin “lista e kandidatëve të subjekteve politike” i drejtohet në serbisht një gazetari me kombësi shqiptare që ndodhej në sallë: “Seferi, a i thash mirë?” dhe vazhdon: “A e sheh?! Nëse ti mundesh të flasësh në serbisht, mund edhe unë diçka të mësoj. Por nuk jam aq i talentuar si Nenad Rashiq apo Rada Trajkoviç”, Të dy këta të fundit politikanë serbë te Kosoves luajalë me shtetin dhe kundër ndërhyrjes të Serbisë në punët e brendshme të serbëve të Kosovës.

E gjithë kjo ndërhyrje brutale dhe ky shantazh kalohet në heshtje nga politika dhe drejtësia kosovare.

E për më keq ky lladrovi ynë shkon edhe në Novi Sad gojë kyçur megjithëse në ketë vend si gojë shthurur që është nuk len kënd pa e shpotitur me batuta.

E gjithë veprimtaria politike,diplomatike dhe lëvizjet rajonale e më gjerë të kupolës qeverisese serbe po tentojnë fuqishëm që shteti serb të marrë rolin e guzhinetës në Ballkan duke i përdorur shtetet e rajonit si trampolinë për realizimin interesave serbe dhe tërthorazi edhe ruse.

Politikë kjo aspak e re, por gjithsesi më e kamufluar dhe më e zhdërvjelltë se çdo herë tjetër. Ne ketë betejë Kosova, qeveria e re duhet të mendohet mirë dhe ti përshtatet me efikasitet situatës duke marrë rol kyç në orientimin saj drejt realizmit të interesave të veta.

Ajo e ka mundësinë ta marrë ketë rol duke e mundur në fushën e lojës Serbinë me forcën e mendjes dhe zgjuarsinë e dëshmuar jo në pak raste .

Kujtoni negociatat para, në Rambuje dhe pas Rambuje. Ajo nuk duhet të behët pjesë në asnjë rast e lojës politike për pushtet te Tiranës zyrtare.

Duhet të parandalojë çdo marrëveshje e cila do të jetë pykë nga pas shpinës të saj në betejën me Serbinë.

Fjala vjen duhet të përdorë autoritetin e saj mbi udhëheqjen shqiptare të Maqedonisë për pengimin e të ashtuquajturit minishengen ndërmjet Serbisë-Maqedonisë dhe Shqipërisë nëse ajo tenton të krijojë patkoin politik dhe ekonomik për rreth saj. Kjo gjithashtu do ti hiqte edhe mundësinë Serbisë të luaje me manovra të tilla hipokrite si lider i paqes në rajon.

Ajo duhet të angazhohet fuqishëm në përkrahjen e serbeve dhe partive luajale me shtetin Kosovës.

Atë që z. Kurti e quan dialog të brendshëm me serbet e Kosovës duhet të ndodhë realisht duke ju përgjigjur Serbisë dhëmb për dhëmb me investime drejt pjesës luajale me shtetin e Kosovës dhe angazhimin me zgjuarsi të tyre në punët e shtetit si qytetarë të këtij shteti dhe jo argatë të shtetit serb.

Kosova deri në hapjen e bisedimeve teknike (2010) ka eksperiencë mjaft pozitive në ketë drejtim. Le ta përdorë përsëri. Shteti i Kosovës nuk duhet të ndalet por të investohet fuqishëm në konsolidimin dhe modernizimin e ushtrisë.

Sundimi i ligjit dhe vendosja nën ligj e vendit duhet të vendoset si prioritet i parë duke ja vënë gjurin në fyt krimit, korrupsionit dhe bashkëpunimit të segmenteve politike dhe shtetërore me të.

Prej këndej me patjetër do të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik produkt i së cilit do të jetë rritja e mirëqenies dhe prosperitetit të qytetarëve kosovarë. Kjo do të jetë garanci substanciale për të stopuar e ndalur hemorragjinë e emigrimit.

Dhe së fundi masat e reciprocitetit me Serbinë duhet të vendosen urgjent duke i përdorur jo vetëm si mjet presioni por në radhë të parë si mjet për të shkuar në zgjidhje të detyruar të drejtë ne konfliktin shekullor me të.

Eh… kjo duhet filluar me angazhimin e menjëhershëm të studiove ligjore për përgatitjen e padisë për ta çuar Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me akuzën për gjenocid.

Qeveria e re e Kosovës duhet ta zhveshi Serbinë nga përpjekjet propagandistike për tu shitur si promtore progresi dhe paqe në rajon.

Ajo duhet ta stopojë në synimet e saj për të interpretuar me zgjuarsi interesat ruse në Kosovë e rajon.

Ajo duhet ta ndërtoje e zhvillojë kundër ofensive propagandistike dhe me veprime konkrete bllokuese duhet të ndalë Serbinë jo vetëm nga objektivi strategjik për krijimin Serbisë së madhe por edhe sigurimin monopolit politik dhe ekonomik mbi rajonin duke vepruar me hapa konkretë.

Kosova është nyje kyç për avancimin e Serbisë në objektivat gjeostrategjik publikë dhe të fshehtë në rajon. Pa kalimin e kesaj nyje Serbia eshte e detyruar te stopohet. Kjo kërkon që qeveria e re të lexojë ftohtë dhe pa pasione situatën, të përcaktoj e riformulojë qartë interesat shtetërore dhe kombëtare.

Nga kjo perspektivë me analizë racionale dhe platformë të qartë dhe koordinuar politikisht brenda vendit me të gjitha forcat politike shqiptare (rajon) dhe partitë luajale serbe të shprehet e gatshme me fjale e vepra për negociata. Shkurt e shqip Kosova duhet t’ja grisi makijazhin shtetit serb i cili në përmbajtje nuk është se ndryshon shumë me Millosheviqin perverse ka ndërruar mjetet dhe taktikat. Strategjia është e njëjta.

 

Tirane, 13.10.2019