Udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ranë dakort sot, gjatë një takimi në Novi Sad, që brenda vitit 2021 “të eliminojmë kontrollet kufitare dhe pengesat e tjera të lëvizjes së lirë brenda rajonit”.

Sipas deklaratës së përbashkët “njerëzit do të jenë në gjendje që të udhëtojnë në rajon me një kartë identiteti të vlefshme. Do të jenë në gjendje që të punojnë kudo në rajon, sapo të kualifikohen për një vend pune. Diplomat do të njihet në gjithë rajonin. Ne do të shtojmë bashkëpunimin kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe zotohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin duke iu përgjigjur urgjencave të tilla si katastrofat natyrore”.

Kryeministrit Edi Rama shpjegoi se “në thelb qëllimi që na ka bashkuar në këtë format është të shtyjmë përpara me më shumë energji e kordinim, procese që në letër janë shkruar e miratuar më shumë se një herë e të mos presim që këtë ta bëjnë të tjerët për ne”.

Të tre udhëheqësit ballkanik i mëshuan përfitimeve që ekonomitë e vendeve të rajonit pritet të kenë nga një nismë e tillë. “Ideja është që duhet të përshpejtojmë dhe nxisim përppjekjet për ekonominë për ta bërë rajonin një destinacion më tërheqës, si për njerëzit tanë që të punojnë dhe jetojnë këtu, ashtu dhe për invetimet e huaja direkte”, theksoi kryeministri maqedonas Zoran Zaev, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Deklarata bën një ftesë të hapur që nismës t’i bashkohen dhe vendet e tjera të rajonit. “Presim me padruim që të gjithë vendet e BP të mblidhen e të bashkëpunojmë pavarësisht dallimeve që kemi”, deklaroi presidenti serb, duke ju referuar qartazi marrëdhënieve të vendit të tij me Kosovën. “Kjo nismë – shtoi ai – është e rëndësishme për të gjithë rajonin. Nëse duam vërtetë ta krijojmë një gjë të tillë deri në 2021, njerëzit duhet të përpiqen të lënë mënjanë dallimet”.

Një takim i dytë, është parashikuar të zhvillohet më 10 nëntor në Ohër, të Maqedonisë së Veriut.