Shpenzimet mesatare mujore të një familje shqiptare me 4 pjesëtarë në fund të vitit 2018-ë arritën në 75 mijë e 900 lekë.

Sipas Institutit të Statistikave Shqiptare, afërsisht gjysma e këtij buxheti shkon për të mbuluar nevojat për ushqim, ndërsa pjesa tjetër ndahet në arsim, shëndetësi, shpenzime të banesës dhe shumë pak shkon për argëtim e kulturë.

Për profesorin e Ekonomisë Selami Xhepa, kjo strukturë tregon gjendjen e varfër të familjeve që jetojnë në Shqipëri, ku nëse bëhen llogaritë, 1 person nuk arrin dot të shpenzojë më shumë se 5 dollarë në ditë.

“Brenda 3 vjetëve ruajmë të njëjtin nivel të shpenzimeve për familjet, 44% shkojnë për ushqime dhe gjysma tjetër për nevoja të tjera. Gjendja social – ekonomike është e varfër, në shoqëritë e zhvilluara 15% është pesha e nevojave për ushqim.”

Ajo që vihet re në anketimin e INSTAT janë edhe diferencat e mëdha mes rajoneve. Në kryeqytet shpenzimet mujore të një familje arrijnë në 88 mijë lekë në muaj, ndërsa Dibra qëndron e fundit me 58 mijë e 400 lekë. Selami Xhepa thotë se ka ardhur koha që hapja e vendeve të punës të mos shihet më si mbijetesë, ndërsa qeveria duhet të vendosë me ligj minimumin jetik.

“Diferencat rajonale nga një zonë në një tjetër, karakterizohen nga nivele më të ulëta konsumi sesa në zona të tjera. Niveli i pagave që jepen në disa sektorë nuk mbulojnë nivelin e varfërisë. Është koha të kemi një minimum jetik që të orientojnë politikat e qeverisë.”

Sipas studimit mesatarisht nevojat për ushqim në vitin 2018-ë u rritën duke shkuar në 33.4 mijë lekë në muaj, shpenzimet për shëndetësinë po ashtu u rritën, ato për banesën, ujin dhe energjinë nuk ndryshuan, ndërsa shpenzimet për veshje e arsim u ulën.