Klubet e futbollit po shpenzojnë gjithnjë e më shumë, në një vorbull inflacioni dyshifror, që vë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të skuadrave. Këto janë përfundimet e një studimi të kryer nga CIES, International Centre for Sport Studies në Neuchatel, në Zvicër.

Studimi shkruan se në vitin 2019 u regjistrua një rekord i ri shpenzimesh: 6,6 miliardë euro. Kjo shumë është rritur thuajse 10% krahasuar me rekordin e vitit 2017.

Në 10 vite, investimet në tarifat e transferimit në klubet e pesë kampionateve më të mëdha në Europë janë rritur më shumë se 4 herë. Vetëm në dy raste, në vitin 2012 dhe në 2018, shumat e paguara ishin më të ulëta krahasuar me vitin e mëparshëm.

Rekordi i shënuar në vitin 2019, 6,6 miliardë euro është thuajse tre herë e gjysmë më i lartë krahasuar me 1,5 miliardë euro në vitin 2010, me kartonët e lojtarëve që kanë kushtuar mesatarisht 31% më shumë se viti i kaluar dhe 81% më shumë krahasuar me vitin 2011.

Rritja më e madhe në terma absolutë është vërejtur në Premier League angleze (+1.4 miliardë euro), ndërsa rritja më e dukshme është regjistruar në Bundesligën gjermane (+395%).

Studimi ka bërë edhe klasifikimin e klubeve që kanë shpenzuar më shumë në dekadën e fundit. Në vend të parë është Manchester City me 1,638 miliardë euro. Klubi i Barcelonës renditet i dyti, me 1,525 miliardë euro dhe Chelsea, nën pronësi të Roman Abramovich, është i treti, i cili ka investuar në treg 1,428 miliardë euro.

Është interesante – siç lexohet në raportin e CIES se “të gjithë finalistet e Champions League, duke nisur nga viti 2005, bëjnë pjesë në klasifikimin e 20 skuadrave që kanë shpenzuar më shumë në dekadën e fundit”. Me fjalë të tjera, nëse flitet për trofe të mëdhenj, paratë sigurisht që të bëjnë të lumtur. Manchester City, Paris St-Germain, Manchester United dhe Barcelona kanë bilancet neto më negative në lidhje me transferimet në 10 vitet e fundit.

12 skuadra të Premier League janë gjithashtu ndër të parat në klasifikimet “top 20”. Për më tepër, të gjitha klubet nga ky kampionat kanë një bilanc neto negativ. Kjo tregon edhe rëndësinë e burimeve financiare në dispozicion të klubeve të Premier League. Kjo është një situatë unike krahasuar me 4 kampionatet e tjera të big-5.

Në vitin 2019, tre skuadra spanjolle ishin në krye të klasifikimit të klubeve që kanë shpenzuar më shumë për tarifën e transferimit. Ky rezultat reflekton nevojën ciklike për rinovimin e skuadrës por edhe disponueshmërinë për mundësi financiare që lidhen me Ligën Spanjolle, kampionati i dytë më i fuqishëm në planet pas Premier League.

Raporti i plotë:

https://football-observatory.com/

https://football-observatory.com/IMG/sites/mr/mr47/en/