Njëzet e nëntë vite më parë, në qytezën e vogël të quajtur Kaçanik, delegatët e Kuvendit të atëhershëm, bazuar në Deklaratën e Pavarësisë se 2 korrikut të njëjtit vit, kishin aprovuar Aktin më të lartë shtetëror, Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Delegatët e asaj kohe, pas këtij vendimi historik, ishin detyruar ta lëshojnë Kosovën për të vepruar në ekzil.
Bazuar në këtë dokument juridik, ishte mbajtur edhe Referendumi për pavarësi, sikurse që ishin organizuar zgjedhjet e përgjithshme me ç’rast ishte zgjedhur edhe presidenti i vendit, dr. Ibrahim Rugova. Po ashtu, në harmoni me Kushtetutën e 7 shtatorit të vitit 1990, juristët e Deçanit të prirë nga Sali Çekaj dhe Isat Mushkolaj, nxorën Aktin më të lartë komunal, Statutin e Komunës. Pas këtij Akti madhor, juristët tanë iu kishin nënshtruar përndjekjes, arrestimit dhe dhunës së egër serbo-sllave. Përderisa, Sali Çekaj ishte larguar nga Kosova, Isati me shokë, iu nënshtrua gjykimit serb, duke u dënuar me nga disa vite burgim, gjë që humbi edhe pjesët e trupit (të dy veshkët) nga edhe gjeti vdekjen. Edhe pas këtyre viteve, kjo ngjarje historike mbetët ndër më të rëndësishmet të angazhimit tonë për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Duhet përmendur se neni 1. i këtij dokumenti thotë se: “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë.
Me këtë rastë, gjithë juristëve dhe veprimtarëve të Komunës së Deçanit, gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, urime “Dita e Kushtetutës së Kaçanikut”, dhe qofshi të nderuar për angazhimet në rrugëtimin për Liri dhe Pavarësi, në krye të së cilës qëndronte dr. Ibrahim Rugova dhe bashkëveprimtarët e tij.