Shqipëria renditet e treta në botë për nga numri i sulmeve kibernetike në pajisjet kompjuterike, sipas të dhënave të publikuara nga Kaspersky Security Network (KSN).

Gjatë buletinit të sigurisë “Global Q2 2019”, Kaspersky raportoi se miliona përdorues të kompjuterave në Shqipëri sulmohen nga keqbërës teksa navigojnë në internet.

Shifrat e larta kanë bërë që Shqipëria të renditet e treta në botë me 40.1 % pas Algjerisë (44.1%) dhe Nepalit (43%).

Tentativat për të infektuar pajisjet dhe kompjuterat ndodhin kur përdoruesi mundohet të vizitojë një ueb-faqe që është e infektuar. Një faqe e tillë, e pasigurtë, instalon në kompjuter apo pajisje skripte të ndryshme dashakeqe.

Pasi infektohet një web-faqe, infektohet automatikisht edhe kompjuteri që e viziton atë, në heshtje, sidomos kur kompjuteri është i pambrojtur apo nuk disponon përditësimet e fundit.