Shumë herë më ke bërë llafazan si kusi e tejmbushur/
Kur shportat mbushen dinagaz me simbole, metafora.
Vargjet më bëhen si gërsheti i vajzave, i thurur.
A si krua ku uji natë në çdo stinë rri curguar.

Para teje kthehem në një kërkimtar duardridhur.
Tek të ftoj në shenjtërimin e lutjes zëëmbël.
Oh, besomë, e vërteta ime nuk është e lidhur
Thuamë se në këto ditë nuk qënkam në ëndërr.

Dhe marr një vals vetmitar në ritmimin e gjetheve
Në sytë e çuditur të kalimtarëve që nxitojnë.
Në tabanët e këpucëve të mia ndalen detet.
Në ballin e djersitur xixëllonjat xixojnë.

Dhe futem mes simfonisë së vargut me aromë shpirti.
Me pengun e fjalës që s’i thotë të gjitha.
Fjala më bëhet si lëmshi që i ngatërrohet filli
Mes buzëqeshjes tënde kërkon muzgun, ditën, agimin.

Para teje bëhem memec i fjalës së pathënë.
Edhe pse kam qenë për të bujk i papërtuar.
Se ti qënkë një kala e fortë, hijerëndë.
Ku ngjitesh qoftë dhe me dorë të gjakuar.

Më vjen trilli për të ta shkruar emrin në trungje.
Po ligji, ah., ligji i fortë ma ndalon dorën.
E provoj më tej që ta vë si lule mes buze.
Për t’i dhënë çdo ditë e çdo çasti kurorën.

E më vjen ta shkruaj emrin në shtëllunga resh.
Lart, lart, ky syri bëhet në kohë lakmitar.
Fshihem pas fletës a fluturoj krahëshpejtë.
Të sfidoj dhe shpejtësinë e zërit nga larg.