Eshtë e qartë: Liverpool i ka minuar shanset e veta për kualifikim në finalen e “Wanda Metropolitano”, pas humbjes 3-0 në “Camp Nou”. Natyrisht, në futboll asgjë nuk parashikohet dot, kështu që me siguri absolute nuk mund të flasë askush, pa u luajtur edhe gjysmëfinalja e kthimit në “Anfield”.

Barcelona ka patur shumë sukses në garat e brendshme spanjolle, në vitet e fundit, por prej katër vitesh nuk e ka fituar dot Ligën e Kampionëve. Sikurse mund ta shihni edhe duke luajtur, Messi është i dëshpëruar për t’i dhënë fund pritjes. Epërsia e trefishtë e bën favorite absolute skuadrën katalanase për të shkuar në finale. Ndërkohë, Ajax ka hedhur një hap, por duhet të tregohet i kujdesshëm në gjysmëfinalen e kthimit kundër “Spurs”.

Për gjigantët holandezë mungon finalja e Champions-it nga viti 1996. Gjithkush mund të pyesë: cila është prognoza e pjesës së mbetur të kompeticionit? Statisticienët e “FiveThirtyEight” kanë studiuar shifrat dhe numrat, pas ndeshjeve të para gjysmëfinale, për të gjetur fituesit më të mundshëm. Barcelona është favorite e kuptueshme. Asaj i janë dhënë 94% shanse për të arritur në finalen e madhe, si dhe 64% shanse për fitimin e trofeut. Ajax-it i janë dhënë 24% shanse për t’u shpallur kampion Europe, ndërsa Tottenhamit vetëm 8%.

Keqardhje për tifozët e Liverpool-it, por skuadra e tyre duket se ka dalë jashtë loje. “Reds” kanë vetëm 6% shanse për ta përmbysur Barcelonën në “Anfield” dhe 4% shanse për ta fituar titullin e gjashtë europian. Cilado skuadër, që do të mbizotërojë gjysmëfinalen midis Barcelonës dhe Liverpool-it, konsiderohet favorite kryesore nga kompania e njohur amerikane e analizave politike, ekonomike dhe sportive, për ta ngritur “kupën veshëgjatë” në Madrid, më 1 qershor.