Disa vite të shkuara, duke lexuar një studim mbi Japoninë, të mbetej  i pashlyeshëm ky fakt: në  vitin  1920, Japonia planifikoi të transformonte zhvillimin e saj. Por, për ta kryer këtë, vendit i mungonte investimi  më themelor, – përgatitja e njerëzve të ditur.  Nga e nisi shteti japonez përballjen me këtë  strategji? Me sakrifica të mëdha financiare dërgoi  njëherësh 20 000 studentë në universitetet më të mira të Gjermanisë, duke mos e ndërprerë këtë mënyrë shkollimi edhe  në vitet më pas. Me përfundimin e studimeve, ata mijëra specialistë të fushave të ndryshme u kthyen në vendin e tyre dhe  u bënë  fuqi shndërruese e jashtëzakonshme.

Nëse për shumëçka Shqipëria gjendet  nga fundi i renditjeve botërore, shqiptarët si popull mund të jenë diku në krye të kombeve të globit përsa i përket sakrificave të paimangjinueshme që bëjnë familjet për të shkolluar fëmijët e tyre. Le të mos merremi me ata pak studentë gjatë kohës së Mbretërisë, që studiuan në Itali, Austri, Gjermani, Francë, Angli , SHBA, Turqi, Greqi; as dhe me ata që gjatë  viteve ’50 të shekullit të kaluar që u shkolluan me shpenzimet e shtetit, në universitete të Bashkimit Sovjetik, Rumanisë, Bullgarisë, Polonisë,  Çekosllovakisë, Hungarisë;  por të vështrojmë dukurinë pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri, qysh prej vitit 1992 e në vijim. Përmasën e asaj zhuritjeje për shkollim të mirë e shquajmë në formën e një etheje plot zjarrmi kur me mijëra maturantë shkojnë çdo vit në universitete të vendeve  perëndimore, përfshi SHBA dhe Kanadanë.  Sakrificat financiare të familjeve për ta ngjajnë me qëllimet e hershme të shtetit japonez, por kjo që bëjnë ato për fëmijtë dhe zhvillimin e vendit, ia kalon fuqisë së shtetit të madh, po të kemi parasyshë ekonominë e dobët të tyre. Sipas publikimeve të ndryshme është bërë me dije që, pas rrëzimit të sistemit komunist, rreth 3000 studentë shkojnë çdo vit për të studiuar në Perëndim. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, ky numër i përvitshëm ka krijuar një ushtri të mirëshkolluarish. Por, rreth tyre nuk ka të dhëna, si përshembull: sa i kanë përfunduar studimet dhe në cilat universitete? Sa i kanë lënë përgjysëm apo braktisur? Sa të shkolluar kanë mbetur andej dhe kryejnë punë të rëndomta nëpër ato shtete ngaqë në Shqipëri nuk arritën të punësohen, por edhe nëse mundën, më pas u larguan përsëri sepse  keqpaguhen? Sa të rinj me studime të kryera janë kthyer dhe punësuar? Sa enden të papunë ende nëpër qytetet tona? Cili është ndikimi në zhvillimin e vendit, le të themi sipas indikacionit japonez me 20 000 studentë që i dhanë hov të paparë Japonisë?

Por ka dhe një pyetje tjetër pa pëgjigje: a mos kjo është kthyer edhe në mënyrë emigrimi? Eshtë një çështje e jashtëzakonshme, sepse për Shqipërinë përbën një humbje të dyfishtë në një lëvizje të vetme: ikën një fuqi e madhe  në moshën e rendimentit më të lartë, dhe marrin me vete  edhe investimin e familjeve për kryerjen e studimeve, duke ua dhuruar falas shteteve ku kanë mundur të punësohen.  Njerëzit e mirëshkolluar janë thesar i gatshëm që familjet shqiptare ia japin falas  Shqipërisë, por ai shkon dëm,  rri në pritje të punësohet, nënçmohet me sjelljen sikur nuk ekzistojnë, ose vërdallisen nëpër këmbët e shoqërisë pa shërbyer.

Sidoqoftë, niveli i zhvillimit të vendit dhe ushtria e të mirëshkolluarve  nuk  përputhen aspak mes tyre. Sakrificat e familjeve për shkollimin e fëmijëve dhe përfitimet e Shqipërisë prej financave familjare mbeten që të dyja pa u shpërblyer. Ne dimë ku kërcejnë disa balerinë tanë, ku këndojnë dy a tre këngëtarë të njohur, dimë sidomos skuadrat ku luajnë disa futbollistë, madje bëhet lajm edhe minuta kur ndonjëri shënon gol, por asgjë nuk dihet për ekselentët dhe dijetarët shqiptarë nëpër botë.

Please follow and like us: