Nëna, e heshtura,
Shkon e nga shkon, e prapë aty është,
Në ajrin që duket dhe s’duket njëherësh,
Në rrembat e gjakut tonë, në zemër.

Në rrugët ku hyjmë, të mëdha e të vogla,
Kudo shkojmë,
mbi çfarëdo ecim,
Para se të vëmë këmbën ne,
Sa mban
E provon këmba e nënës.

Aty, ku mund të na shfaqen sirenat,
Na zë veshët,
Aty, ku duhet të tendosim harkun,
të marrim në shenjë,
Na bëhet forcë dhe mëri.

Odiseja, vëllai im ballkanas
tremijëvjeçar,
Në mirënjohje ndaj Athinasë,
I falej Olimpit të zbrazët.

Më dhimbset, s’arriti kurrë ta kuptojë se
qe nëna.
U kthye në Itakë, u mplak e vdiq edhe vetë
pa mbjellë një lule që s’thahet
Te varri i saj.