Gjakftohtësia, kjo është gjëja më e rëndësishme gjatë ndeshjeve të futbollit. Ylli i Juventus-it, Cristiano Ronaldo, duket se ka imunitet ndaj presionit, ndërsa rendimenti i një kampioni tjetër, Neymar-it, është shumë i ulët në momentet vendimtare.

Këtë e ka zbuluar një studim i bërë nga Universiteti “Ku Leuven” në Belgjikë dhe kompania “SciSports”, rezultatet e të cilit janë prezantuar në konferencën “Sloan Sports Analytics” të zhvilluar në Boston.

Lojtarët e futbollit shpërblehen bujarisht për talentin e tyre, por shpesh duhet të luajnë nën një presion të madh psikologjik. Shpëtimi i portës, realizimi i një penalltie vendimtare, dhënia e asistit perfekt për golin fitues: aksioni i duhur mund të vlejë miliona euro ndonjëherë. Kërkuesit kanë analizuar pothuajse 7.000 ndeshje në 7 kompeticione të ndryshme për të parë si reagojnë lojtarët nën presion.

“Kemi krijuar një model, – ka thënë Jesse Davis, – që përllogarit në mënyrë automatike presionin psikologjik që ka një lojtar në momentin që zotëron topin. Ky model analizon reagimin e futbollistit nën presion”.

“Le të themi se një ndeshje është në barazim në minutën e 89-të dhe një lojtar provon të shënojë golin e fitores në vend që të pasojë. Modeli analizon nëse është një vendim i mirë, nëse goditja është ekzekutuar mirë dhe çfarë ndikimi ka patur në rezultatin final”.

Parametrat e përdorur kanë qenë të ndryshëm dhe të rëndësishëm: nëse ndeshja luhet në shtëpi apo në transfertë, nëse rezultati do të ketë një ndikim të madh në sezonin e ekipit. Po a është një gjë e mirë që lojtarët të reagojnë më mirë kur janë nën presion? Sipas kërkuesit të “SciSports”, Jan Van Haaren, nuk ka një përgjigje unanime për këtë.

“Skenari ideal, – ka thënë ai, – është që të kenë një rendiment të qëndrueshëm, pavarësisht nga presioni. Analizat tregojnë se Cristiano Ronaldo nuk e vë re presionin, paraqitjet e tij janë të qëndrueshme, ndërsa Neymar merr vendimet më të gabuara”.

Edhe Sergio Aguero, ylli i Manchester City-t, duket se shkëlqen nën presion, ndërsa nuk ndodh kështu për një tjetër sulmues të madh, Luis Suarez-in e Barcelona-s.